Dhjetëra persona janë arrestuar gjatë homazheve të mbajtura për vdekjen e kundërshtarit të Putinit në Rusi. Sipas informacioneve, të paktën 100 persona janë arrestuar deri më tani.
Pamjet dhe fotot nga dy qytetet më të mëdha të Rusisë, Moska dhe Shën Petersburgu tregojnë oficerët duke hequr pankartat nga protestuesit dhe duke tërhequr zvarrë të tjerët nga monumentet e improvizuara të Navalny.
“Gjithçka që po ndodh gjatë këtyre viteve, në territorin e vendit tim të dashur, është një turp”, tha një grua.
Megjithëse policia nuk ka dhënë asnjë detaj mbi arrestimet, prokurorët kanë paralajmëruar rusët që të mos marrin pjesë në ndonjë protestë masive në Moskë.
Kjo vjen pasi disidenti i burgosur, Navalny, një kritik kryesor i presidentit Vladimir Putin, i cili kishte bërë fushatë kundër korrupsionit zyrtar dhe udhëhoqi protesta të mëdha kundër Kremlinit, u konfirmua i vdekur nga autoritetet e burgjeve në Rusi të premten, në moshën 47-vjeçare.
Protestat në të gjithë Europën
Protestat u mbajtën edhe jashtë Rusisë, përfshirë në Londër, ku njerëzit që mbanin foto të Navalny demonstruan jashtë ambasadës ruse pranë Notting Hill. Një burrë në protestë, i cili nuk donte të përmendej, tha: “Unë dua që Rusia të jetë një vend që respektohet në të gjithë botën.
“Dua ta dua flamurin tim. Por sot nuk është e mundur sepse flamuri përfaqëson luftën.”
Në Berlin, qindra u mblodhën pranë ambasadës ruse duke brohoritur: “Putini në Hagë”.
Në Lituani, dikur e drejtuar nga Moska, por tani një anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian, të pranishmit vendosën lule dhe qirinj pranë një fotoje të Navalny.
“Ai ishte gjithmonë me ne, kështu që gjithçka është surreale,” tha Lyusya Shtein, 26 vjeç, një aktiviste e Pussy Riot e cila ka jetuar në Vilnius që nga largimi nga Rusia në 2022.
Grupet u mblodhën gjithashtu në qytete duke përfshirë Romën, Amsterdamin, Barcelonën, Sofjen, Gjenevën dhe Hagën, ndër të tjera. Navalny po vuante një dënim prej 19 vitesh për akuzat e ekstremizmit në një koloni të largët penale mbi Rrethin Arktik.
Ai ka qënë në burg që kur u kthye nga Gjermania në janar 2021, duke vuajtur dënimin për akuza të ndryshme që ai i hodhi poshtë si një përpjekje e motivuar politikisht.
Autoritetet ruse të burgut thanë se Navalny ishte ndjerë keq pas një shëtitjeje të premten dhe humbi vetëdijen.
Përpjekjet e stafit mjekësor për ta ringjallur dështuan, sipas shërbimit.
/abcnews.al