“Thelbi i gjithë protestës së studentëve është abrogimi i ligjit për arsimin e lartë”.
Opozita vazhdon t’i qëndrojë mendimit se qëllimi i protestës së studentëve është anulimi i ligjit për arsimin e lartë. Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, ishte i ftuar në ABC News dhe tha se tashmë është koha për të marrë përgjegjësi. Ai shtroi pyetjet nëse do ishin bërë VKM-të e qeverisë nëse nuk do dilnin studentët të protestonin.
“Duhet të ishim në periudhën e marrjes së përgjegjësive. Pjesa e dialogut që Rama e kërkon ka mbaruar. Tani është marrja e përgjegjësive. Këto janë premtime që janë rithënë dhe nuk duhet të dalë e të thotë po bëj detyrat e mia që duhet t’i kishte bërë më parë. Këto VKM do bëheshin po mos të dilnin studentët në protestë? Burimi i përgjegjësisë është ligji i arsimit të lartë. Rama është munduar që përplasjen e studentëve me qeverinë ta impostojë si përplasje me pedagogët dhe universitetet. Pedagogët e kanë mbështetur kauzën e studentëve. Ato abuzimet janë thjesht për televizion se nuk është rektori ai që vendos për shpenzimet por bordi i Administerimit dhe bordi përbëhet më së shumti nga anëtarë të Ministrisë së Arsimit”, u shpreh Boçi.
Përsa i përket Vettingut akademik, Boçi tha se kjo duhet realizur nga trupa akademike dhe të mos bëhet politikisht.
“Jam dakord sepse kjo gjë rrit cilësinë e punës kërkimore dhe shkencore. Nuk pranoj që kjo gjë të bëhet politikisht. Nëse flasim për një Vetting, luftës ndaj plagjiaturave kjo duhet bërë nga trupa akademike”, u shpreh deputeti./abcnews.al