Propozimi i Ramës e heshtja e Bashës

schedule15:09 - 6 Prill, 2019

schedule 15:09 - 6 Prill, 2019

Një lëvizje e kryeministrit në situatën e tensionuar politike në vend, spikati në zhvillimet e javës që lamë pas. Një ftesë për opozitën jashtë Kuvendit, për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes parlamentare, ngriti pikëpyetje, por edhe dëshmoi se pavarësisht nga numrat në kuvend, opozita politike mbetet interlokutori kryesor i shumicës. Këtë dinamikë të javës politike që lamë pas na sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Deklaratat publike i kanë ekstremisht të largëta, e ajo që njëri e quan krizë të opozitës, e tjetri krizë politike e institucionale, duket se po kthehet në statusquo.

Në këtë panoramë, kur ndërkombëtarët dukshëm nuk po japin sinjale përfshirje, e KM flet me gjuhë force e jo dialogu, spikati një ftesë e socialistëve për ta patur opozitën politike jashtë kuvendit, në vendimmarrjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Për këtë madje do i zgjasnin mandatin deri në 5 Maj. Shkëlqeu heshtja e PD zyrtare përballë një oferte të tillë, e njëlloj edhe irritimi i opozitës së re në Kuvend.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Një matje në distancë forcash në Durrës, në takime që i patën njëri pas tjetrit, solli reagimin e rrallë të km, që prej publikimit të disa përgjimeve mbi zgjedhjet të dosjes 339 për Vangjush Dakon, kryebashkiakun që nuk e konfirmoi për rikandidim në Durrës, siç ka bërë në qytete të tjera.

Akuzat për blerje të votës në zgjedhje, vijnë tashmë sporadike në ligjërimin e PD, edhe pse Basha javën politike që lamë pas, përmendi një tjetër deputet socialist, si pjesë e dosjes së prokurorisë mbi zgjedhjet në Dibër.

Akuza e fortë nuk mori përgjigje, njëlloj siç po ndodh me publikimet sistematike prej dy javësh nga ish deputeti Salianji, të përgjimeve të prokurorisë, të asaj që njihet si dosja Babale, në të cilat dëshmitari i penduar Fredi Alizoti ka komunikim sistematik me drejtues vendorë të policisë së Fierit, e aludon për para të marra e takime me eksponentë socialistë.

Strategjia e lexueshme politike duket heshtja, për të mos i dhënë peshë publike, e të njëjtën rrugë duket se po ndjek edhe organi i akuzës.

E megjithatë, një ditë para seancës parlamentare, socialistët bënë të ditur lëvizjen e beftë: zgjatjen deri në 5 Maj, të afatit të punës të komisionit për reformën zgjedhore, mandati i të cilit kishte mbaruar prej 6 javësh. Nuk ka kohë ligjore sipas socialistëve për ndryshime në kod për zgjedhjet vendore, por ligjin nuk e shohin si pengesë, për të ulur PD jashtë kuvendit në një komision parlamentar, e ndryshuar së bashku rregullat për zgjedhjet e përgjithshme, të programuara në 2021.

Përse vallë kjo ftesë për t’u dakordësuar për rregulla loje, që në parim do zbatohen të paktën dy vjet më vonë? PD heshti, e i pyetur direkt, ish anëtari i komisionit të ligjeve Enlekejd Alibeaj dha një përgjigje diplomatike

Ajo ftesa e drejtuar opozitës jashtë Kuvendit për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes parlamentare shqetësoi dy deputetët e PD, që kanë refuzuar dorëzimin e mandateve si pjesa tjetër e grupit. E lexuan si anashkalim të tyre, por edhe si pazar mes dy të mëdhenjve

Vetë Kryeministri u përpoq t’i qetësonte këto zëra, përballë heshtjes së deputetëve të tjerë të ulur në karriget e opozitës.

Prej ndryshimit të 2008, vendi ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal me lista të mbyllura, që u njeh të drejtën kryetarëve të partive të hartojnë vetë një listë kandidatësh, si alternativë unike për votuesit. Heqja e këtij pushteti kryetarëve të partive, për t’i dhënë hapësirë zgjedhësve me një tjetër sistem, është një kërkesë e njohur e partive aleate të Lulzim Bashës. Ky i fundit, e artikuloi pak javë më herët.

Aleatët e Lulzim Bashës e ushqejnë si shpresë që mund të realizohet me qeverinë tranzitore.

Por Kryeministri që u përball me këtë ide në Kuvend, nuk duket entuziast për ndryshimin e sistemit.

Po përse vallë socialistët po krijojnë precedentin, duke ftuar opozitën jashtë kuvendit në një komision parlamentar, për rregullat e lojës që sic thonë, nuk lidhen me vendoret e fiksuara me 30 qershor? Për herë të parë Edi Rama flet për një opsion zgjedhjesh të parakoshme parlamentare, por si strategji e socialistëve.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas atyre vendore, është një nga variantet që qarkullon në korridoret e mediave. Pa dyshim që ai opsion, do kërkonte impenjim të shtuar për zgjedhjet vendore, sepse bashkitë mbeten epiqendrat politike të rajoneve të vendit, me sistemin aktual zgjedhor. Për Kryeministrin do jetë testi i ri i garës pa aleatë, e dukshëm mungesa e qetësisë i reflektohet tek gjuha e pakujdesshme, për një politikan që shquhet për lëvrimin e shqipes në ligjërimin publik.

Në Parlament vijon të shijojë komoditetin e numrave që arritën 99 javën politike që lamë pas, me plotësimin e ri të karrikeve të opozitës. Fuqia ndaj legjislativit ndihet tek seancat parlamentare, që e kanë humbur prej javësh traditën e të enjteve.

Duhet thënë se impenjimi që u shfaq javën politike që lamë pas, nuk i ngjante dikujt që ndihet i sigurt në reazultatet e tij. Fokusi duket tek perceptimi publik, ndaj realitetit politik. Intensiteti i ngjarjeve kriminale krijon efektin e pasigurisë. Në krye Shkodra, me 9 ekzekutime në 9 muaj e dy persona të zhdukur, të gjitha ngjarje pa autorë. Pas ndryshimit të kupolës së policisë në këtë qark, ministri i brendshëm i intensifikoi vizitat në ketë, ku pasiguria iu artikulua nga vetë kryebashkiakia demokrate

Kur realiteti është i vështirë, beteja është për perceptimin.

Të njëjtin perceptim në fokus edhe për qytetarët, të cilët i ka shpallur aleatë në bashkëqeverisje.

Por ka një vëmendje po aq të shtuar për studentët, protesta e të cilëve vitin e kaluar, e detyroi të ndryshonte mbi gjysmën e qeverisë, të krijuar vetëm 15 muaj më herët. Zërat sporadike të pakënaqësisë mes studentëve, i mbulojnë takimet e shtuara ku flitet për Paktin për Universitetin, e që javën politike që lamë pas, shënjestruan rektorin e UT Mynyr Koni.

Beteja për perceptimin, i ndikon edhe marrëdhënien me opozitën politike, me të cilën ndihet papushim në garë

Në këtë qasje të Ramës, spikati të mërkurën e seancës plenare një zë ndryshe brenda socialistëve. Ish ministri i jashtëm Ditmir Bushati u kujtoi kolegëve të vet, se në lojë nuk është thjesht beteja politike, por e ardhmja e vendit.

Filozofia e socialistëve progresistë, i takon erës para rilindjes në PS, e artikuluar shpesh nga Fatos Nano. Duke e risjellë në kujtesë si filozofi, Ditmir Bushati, veçoi me emër pikërisht senatorët e PS, duke u kërkuar reflektim.

Thjesht mund të merret me mend se si është ndjerë KM, kur i është kujtuar modeli i paraardhësit në PS, ndërsa cka spikati si diferencë ishte se ndryshe nga koha e Fatos Nanos, emrat që Bushati përmendi, heshtën.

Jashtë kuvendit opozita mbajti protestën e rradhës. Për herë të dytë Lulzim Basha mungoi në protestën para parlamentit, pasi ndodhej jashtë vendit, e për herë të parë në një protestë mungoi edhe Sali Berisha. Drejtimin e protestës e kishin marrë të rinjtë, që si zakonisht u shquan për simbolikën e përdorur.

Lulzim Basha vijon ta kërkojë në Berlin mbështetjen për kauzën e tij.  Bëri të ditur se ishte ftuar për takime pune me CDU e kancelares Merkel, ndërsa për DË shpjegoi situatën.

Të enjten në mbrëmje Lulzim Basha deklaroi gjatë një interviste telefonike televizive, se nga takimet e tij në Berlin kishte konstatuar se nuk kishte mbështetje për Kryeministrin. Në fakt të tilla mesazhe ende nuk janë artikuluar në Tiranë, por nga ana tjetër Gjermania ende nuk ka një qëndrim për qershorin kur shqipëria është sërish në pritje për hapjen e negociatave. Njëlloj si një vit më parë, Komisioni Europian tashmë në ditët e fundit të mandatit të tij, do sugjerojë hapjen e negociatave të antarësimit për Shqipërine e Maqedoninë, në progress raportin që do publikohet më 29 Maj, edhe pse kur flitet për përparim, vecohet Maqedonia e Veriut.

Edhe pse nuk ka një lëvizje publike, tradita e zgjidhjes së ngërceve politike në gjuhë të huaj, mbetet pritshmëri.

Por ndërkombëtarët këtë herë, edhe pse me zëra jo vendimmarrës, po nxisin një zgjidhje të brendshme përmes dialogut. I fundit, Delegacioni i BE në Tiranë, e pas tij Km që pjesën e tij, e quan ftesën që opozita jo parlamentare të bëhet pjesë e një komisioni parlamentar. Por në çdo rast opozitës sigurohet t’i rezervojë batutat e njohura

Cuditërisht Lulzim Basha nuk pati një përgjigje për ftesën e përsëritur publike të Edi Ramës, por njëlloj si KM pati vëmendje për studentët. U shpalosi mënyrën se si do e ndryshojë statusquonë e kryetarit omnipotent partiak.

Padyshim që përpjekja ekstraligjore për të përfshirë opozitën jashtë kuvendit, në një vendimmarrje parlamentare ka gjithë tiparet e një shteti që funksionon me vullnet politik, më shumë se me rregulla. Por nga ana tjetër rregullat e lojës miratohen nga aktorët kryesorë në fushë, e heshtja elokuente e Bashës e Kryemadhit, duket miratimi i një realiteti se edhe pse jashtë kuvendit, opozita politike mbetet interlokutori i pazëvendësueshëm i mazhorancës, ndërsa të dy palët duken de facto në fushatë zgjedhore. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!