Pronat, Kushtetuesja rrëzoi skemën e Ramës, Vorpsi: Gjithçka nis nga zero

schedule19:50 - 16 Shkurt, 2021

schedule 19:50 - 16 Shkurt, 2021

Nga Erblina Mile

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë pronarëve shqiptarë për vlerën e kompensimit. Kreu i shoqatës Pronësi me drejtësi Myshit Vorpsi sqaron se Kushtetuesja ka pranuar pjesërisht kërkesën e tyre duke shfuqizuar nenin 7 pikën a dhe b të ligjit 133 të vitit  2015 të miratuar nga maxhoranca  për vlerësimin dhe kompensimin e pronave. Në bazë të kësaj vendimmarrje shteti shqiptar duhet të rishikojë vlerësimin financiar të bërë për 26 mijë dosje.

“Që ai vlerësim që ATP ka bërë tani për 26 mijë vendimet nga viti 1993-2013, tashmë është i rrëzuar. Do të duhet edhe njëherë shteti dhe ATP të bëjë një rivlerësim” tha ai.

Por pavarësisht këtij vendimi pozitiv do të duhet kohë që të mësohet se do të veprohet konkretisht. Vendimi parashikon të hyjë në fuqi 6 muaj pas botimit në fletoren zyrtare dhe gjithçka mbetet pas  krijimit të parlamentit të ri.

“Gjykata Kushtetuese do të shpallë vendimin, në gjykimin tonë kjo mund të kapë deri në një muaj dhe më pas botimit në fletoren zyrtare për një periudhë 6 mujore i është lënë parlamentit për të rregulluar ligjin në përputhej me dy rrëzimet që bëri gjykata. Ndryshimet janë të detyruara” tha ai.

Vorpsi shpjegon se  vlerësimi financiar i bërë deri  tani për pronarët nuk ka qenë i drejtë. Vendimi i nga Gjykata Kushtetuese është marrë në një seancë maratonë që ka zgjatur rreth 6 orë e gjysëm./ db/ Abcnews.al