Pronari i lokalit të djegur në Shkodër: Kanë hedhur eksploziv, mua më ndal vetëm vdekja

schedule11:58 - 10 Dhjetor, 2020

schedule 11:58 - 10 Dhjetor, 2020

Pronari i një prej lokaleve të përfshirë nga flakët ditën e djeshme në Shkodër pretendon se shkak i zjarrit ka qenë eksploziv, duke rrëzuar hipotezën që u ngrit si fillim se kemi të bëjmë me defekt të ashensorit. Në një deklaratë për mediat, Arbis Vjerdha i cili është njëhkohësisht edhe anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër deklaroi se në lokalin e tij dhe një lokal tjetër të përfshirë nga flakët nuk ka pasur bombol gazi duke theksuar se pas ngjarjes fshihet një dorë dashakeqe.

“Përgjegjësi i zjarrfikësve aspak deklaratë profesionale. Ka specialistë të kriminalistikës që vërtetojnë nëse ka pasur apo jo bombol gazi. Në lokalin tim dhe lokalin tjetër nuk ka pasur bombol gazi. Ajo ishte një dorë dashakeqe ku policia duhet ta gjejë se me kë e kanë pasur me mua apo me lokalin tjetër. Këmbët e bazamentit te ashensorit janë të plasura dhe shihet thjeshtë se është eksplozion.

Unë them që ka pasur eksploziv pastaj teknikët duhet ta gjejnë. Kamerat e sigurisë, Voltana Ademi ka dhënë një koncension dhe këto kamera nuk funksionojnë kur i duhen qytetarëve. I referoheni presionit që kam postuar, por mendoj se ai është i fundit që mund ta mendoj se mund ta ketë bërë edhe pse unë them se ai është e keqja e Shkodrës dhe e Shqipërisë”, deklaroi ai.

Vjerdha i bën thirrje policisë dhe prokurorisë që ta hetojnë të plotë ngjarjen pasi sipas tij deri tani nuk e kanë bërë si duhet punën. Ai thotë se vetëm vdekja e ndal pasi këto presione nuk penojnë në atë që bën

“I bëj thirrje policisë dhe prokurorisë që ta hetojnë të plotë sepse deri më tani nuk po e bëjnë punën si duhet. I referoheni presionit që kam postuar për Ilir Beqjan, por mendoj se ai është i fundit që mund ta mendoj se mund ta ketë bërë edhe pse unë them se ai është e keqja e Shkodrës dhe e Shqipërisë. Mua nuk do të më ndalin çfarë do që të bëjnë, mua më ndal vetëm vdekja. Vetëm nëse dikush me qëllon me pushkë mund të më ndalë, ndryshe absolutisht që jo. Kam vendosur të jetoj në Shqipëri dhe do vijoj të bëj punën time si anëtar i këshillit bashkiak”, shprehet Vjerdha./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!