Pronarëve të bizneseve në zonën e “Lungomares” sonte në protestë për zgjatjen e orarit të lejimit të muzikës i janë bashkuar edhe një pjesë e vlonjatëve dhe turistëve që kanë zgjedhur që të kalojnë pushimet në këtë qytet. Një pjesë e qytetarëve u shprehën se qeveria duhet të reflektojë për të plotësuar kërkesën e bizneseve.
“Për qytetarët e Vlorës është problematike, duhet hapur sa më shpejt të jetë e mundur, është moment për të gjithë qytetarët të shijojnë lokalet. Duhet të reflektojnë të dyja palët, qeveria kryesisht” tha një qytetar vlonjat.
“Nuk e di cfarë po ndodh” tha një tjetër, ndërsa një pushues tha se “kjo nuk është mirë për turistët”. “Nuk ka kafe, i bashkohemi protestës. Ndaj vijmë në Vlorë për një kafe, për xhiro. Duhet të reflektojë qeveria” tha një tjetër.
Lexo edhe: Protestë në Vlorë, pronarët e bizneseve rrethojnë lokalet me shirita: Mos na prekni klientët
“Do të bëjmë vetëm ecje, nuk do të pimë kafe” theksoi një tjetër pushues. “Për ne është mirë që të mos ketë masa” tha një tjetër. Pas incidentit mbrëmë pronarët e bizneseve vendosën që për 24 orë të ketë “black out” deri në plotësimin e kërkesës së tyre për lejimin e muzikës deri në 24:00.
Por qeveria vendosi sot që të zgjaste vetëm me një orë lejimin e muzikës nga 22:00 deri në 23:00, gjë që la të pakënaqur bizneset duke bërë që pronarët të dalin sërish në protestë.
Mbrëmjen e sotme ata i rrethuan në mënyrë simbolike lokalet e tyre me shirita duke ndezur disa qirinj, ndërsa vendosën edhe disa pankarta me mesazhe “mos na prekni klientët”, etj./ db/Abcnews.al

