Prokuroria speciale aksion kundër spiunazhit/ Arrestohet zëvendëskomandanti i pikës kufitare Dheu i Bardhë

schedule17:22 - 17 Korrik, 2025

schedule 17:22 - 17 Korrik, 2025

Zëvendëskomandanti i pikës kufitare Dheu i Bardhë, Bojan Jevtiç është një nga policët e arrestuar në një aksion të Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.

Ai dyshohet për spiunazh, dërgim te informacioneve sensitive të vendit drejt shërbimeve sekrete të Serbisë.

Arrestimi i tij është konfirmuar edhe nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sipas te cilit ky është një aksion shumë i rëndësishëm dhe që e rrit sigurinë.

Vete Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar opinionin publik se ky operacion është nën udhëheqjen e saj dhe se është kryer nisur nga dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit por për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, kane qene te rezervuar ne bërjen publike te informacioneve me te detajuara.

Aksioni vjen në një kohë kur autoritetet kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiçin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!