Prokuroria e Durrësit i ka nisur një letër-porosi autoriteteve italiane për 500 mijë eurot e gjetura të fshehura në një kamion në Portin e Durrësit dy ditë më parë, teksa shoferi i kamionit ka mohuar të ketë lidhje me to.
Në këtë letër-porosi kërkohet informacion mbi lëvizjen e kamionit në vendin fqinj, kontaktet që mund të ketë pasur shoferi me persona të tjerë apo pamje filmike nëse është regjistruar.
Kamioni në fjalë i cili ka ardhur në Durrës pas një udhëtimi me tragetin e nisur nga Bari, ka qëndruar 4 ditë në territorin italian dhe për këtë do të pyetën edhe personat që janë përfshirë apo kanë dijeni për ngjarjen.
Ashtu siç është raportuar më parë, mjeti e kryente shpesh rrugën përmes Durrësit dhe Barit me traget, dhe transportonte materiale lëndë e parë për fasoneri që prodhojnë këpucë, që mund të ketë qenë edhe një indicie për kontrollin e tij nga autoritete portuale.
Siç raporton gazetari Leonidha Musaj për abcnews.al shuma e eurove në kamionin me targa TR 2046 U, ishin të vendosura në kokën e mjetit dhe në aksin e rimorkios. Ky detaj i gjetur në kamionin e tij, ka bërë që prokuroria të dyshojë tek drejtuesi i mjetit si i përfshirë në këtë ngjarje.
Në policinë gjyqësore 46-vjeçari ka deklaruar se nuk ka dijeni për paratë dhe se mund ti ketë vendosur dikush tjetër.
Sasia prej 500 mijë eurosh, që u sekuestruan në datën 13 qershor, u gjet në Portin e Durrësit.
Prokuroria nuk ka ende asnjë informacion se nga vjen shuma e konsiderueshme e eurove./abcnews.al