Prokuroria kërkon arrest me burg për 4 të arrestuarit e grabitjes në Rinas

schedule15:01 - 22 Prill, 2019

schedule 15:01 - 22 Prill, 2019

Katër të ndaluarit e parë për grabitjen ne Aeroportin e Rinasit do të njihen të Martën me akuzat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltian Veseli  dhe Saimir Çela janë të arresturit e parë për grabitjen e 6.8 milion eurove. Organi i akuzës kërkon të caktohet masa e sigurisë “arrest me burg.”

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon masën e sigurisë “arrest me burg” dhe që të vlerësohet si i ligjshëm arrestimi i 4 personave të arrestuar për grabitjen e 9 Prillit në Aeroportin e Rinasit. Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltian Veseli  dhe Saimir Çela janë të arresturit e parë për grabitjen e 6.8 milionë eurove. Gjyqtari Bibë Ndreca ditën e Martë në orën 12:30 do të vendosë për fatin e 4 të arrestuarve.

Organi i akuzës i përfaqësuar nga Arenc Çela, Besnik Muçi dhe Klodian Braho do të relatojnë para gjykatës të gjitha provat që kanë kundrejt 4 të dyshuarve. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se provat kryesore janë përgjimet telefonike midis të pandehurve dhe nga këqyrja e qindra orëve të kamerave të sigurisë. Në seancën për caktim të masës së sigurisë do të zbardhet edhe roli që ka pasur secili nga të arrestuarit.

Oltian Veseli dyshohet se ka ndihmuar grabitësit e tjerë që të largohen nga vendi i ngjarjes me një tjetër makinë. Ndërsa pjesa tjetër kanë bërë modifikimin e furgonit më mbishkrimin “Hetim Tatimor”. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë shoqëruar edhe dy vëllezërit e tjerë të Oltian Veselit, Ardit dhe Ermal Veselin. Vëllezërit do të hetohen edhe për pasurinë, nëse kanë apo jo burime të ligjshme për krijimin e saj.

Sipas burimeve nga organi i akuzës Ermal Veseli është pronar i një picerie në zonën e Fushë-Krujës e cila quhet , “Pizzeri Kupa Hallall”. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dyshime të forta se Oltian Veseli ka lidhje me Dash Kupën,  i cili është dënuar për vjedhejn e parave në vitin 2017.

ABC News u interesua edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve nëse ndonjëri nga personat e dyshuar ka kontaktuar me Dash Kupën ose Aleksandër Muratajn që janë të dënuar për vjedhjen e 2017. Drejtoria e Burgjeve mohon që të dyshuarit e grabitjes të kenë pasur kontakte me këta persona që po vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë në kryeqytet.

Ndaj 4 të arrestuarëve rëndojnë akuzat e “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, “Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” “Vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit po vijojnë aksionin për arrestimin e personave të tjerë, të cilët dyshohet të jenë identifikuar tashmë nga ana e institucioneve ligjzbatuese. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!