Prokurori i Përgjithshëm, tre kandidatë plotësojnë kushtet për të vazhduar garën

schedule12:01 - 25 Shtator, 2019

schedule 12:01 - 25 Shtator, 2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i hap dritën jeshile Arta Markut, Fatjona Memçajt dhe Olsian Celës, për të vazhduar garën për Prokuror të Përgjithshëm. KLP skualifikoi Lulzim Alushajn, i cili vinte nga jashtë sistemit. Alushaj mund ta ankimojë vendimin brenda 3 ditëve në Gjykatën Administrative të Apelit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur se tre nga katër kandidatët për prokuror të përgjithshëm mund të vazhdojnë garën për këtë post. Ata janë Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela. Ndërsa kandidati tjetër Lulzim Alushaj, nuk mund të vazhdojë më tej, garën pasi nuk plotësonte një nga kriteret kryesore ligjore.

Avokati Alushaj nuk kishte 15 vite karrierë si juristë i spikatur, në bazë të ligjit për funksionimin e Prokurorive në Republikën e Shqipërisë. Vendimi i KLP mund të ankimohet brenda tre ditëve nga marrja e njoftimit.

Nëse Gjykata e Administrative e Apelit vendos të rrëzojë vendimin e KLP-së, atëherë qeveria e prokurorëve është e detyruar ta rikthej në garë Alushajn. Me vendimet e sotme KLP përmbyll fazën e parë të shqyrtimit të kandidatëve për prokuror të përgjithshëm.

Pas 10 ditësh Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet që të vazhdojë me thirrjen e tre kandidateve në garë për Kryeprokuror të vendit, ku do të pyeten kryesisht për aftësitë e tyre në fushën penale dhe për aftësitë organizative dhe menaxheriale.

Më pas do të bëhet pikëzimi dhe renditja paraprake, por nëse kandidatët nuk janë dakord me pikëzimin mund ta ankimojnë atë në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 3 ditëve. Më pas kjo gjykatë ka 7 ditë kohë për të dalë me një vendim.

Nëse gjykata lë në fuqi listën e KLP atëherë, lista i kalon Kuvendit për votim. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh Prokurorin e Pergjithshëm me shumicë të cilësuar prej 84 votash, atëherë emërimi i takon KLP-së dhe kryereprokurori i vendit zgjidhet i pari nga lista përfundimtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!