Në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit u zhvillua sot një seancë dëgjimore me anëtarin e Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Xholi. Rivlerësimi i figurës së prokurorit të karrierës Xholi është bërë i bazuar në të tre kriteret.
Gjatë seancës së sotme u theksua se sipas raportit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është i saktë dhe se Xholi nuk ka as deklarim të rremë dhe as fshehje pasurie.
Prokurori i organit qendror të akuzës rezulton se ka një apartament 107 m2, me vlerë 50 mijë euro, një autoveturë tip “Benz” me vlerë 4 mijë euro si dhe kursime të bashkëshortes me vlerë rreth 2 milionë e 500 mijë lekë.
Në seancën e sotmë dëgjimore të KPK-së u theksua se per apartamentin Xholi ka deklaruar si burim të ardhurash kredinë dhe një hua 5 mijë euro. Sipas këtij komisioni mbi subjektin e rivlerësimit nuk ka dyshime për burimet e pasurisë, apo për pasuri të paligjshme.
Ndërsa në lidhje me kursimet, është konstatuar se në disa vite Xholi ka pasur mungesë likuiditeti për të justifikuar shpenzimet e kryera. Në lidhje me figurën e tij, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar vlerëson se ai është i përshtatshem për vijimin e detyrës.
Me vlerësimin shumë mirë janë vlerësuar dhe aftësitë e tij profesionale. Xholi nga ana e tij ka sqaruar se në 21 vite karrierë ka përfaqësuar denjësisht prokurorinë dhe se ai nuk binte dakord me metodologjinë e përdorur për llogaritjen e shpenzimeve.
Sipas tij, janë llogaritur keq disa udhëtime të bëra jasht vendit, pasi kanë qenë udhëtime të bëra për llogari të punës si prokuror, e kësisoj të paguara nga shteti./abcnews.al