Prokurorët shqiptarë shkojnë në Katania për të marrë në pyetje Moisi Habilaj

schedule11:07 - 29 Maj, 2018

schedule 11:07 - 29 Maj, 2018

Agjencia italiane e lajmeve Meridionews raporton se të enjten disa prokurorë nga Shqipëria do të marrin në pyetje në Katania tre shqiptarët e arrestuar si pjestarë të bandës së Moisi Habilajt, mes të cilëve dhe këtë të fundit. Agjencia Meridioneës disa muaj më parë zbardhi eksluzivisht përgjimet e bisedave mes disa trafikantëve të drogës.

Mediat italiane raportojnë se prokurorë të Krimeve të Rënda në Tiranë do të jenë të enjten në Katania për të marrë në pyetje tre të arrestuar. Mes tyre dhe Moisi Habilaj, i përfolur për lidhje farefisnore me politikanin Saimir Tahiri. Habilaj akuzohet për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe armësh. Meridionews shkruan ndër të tjera se kjo çështje ka bërë që të ngrihen akuza për përfaqësuesin socialist.

Është dashur një marrëveshje ndërkombëtare për të lejuar marrjen në pyetje të tre të dënuarëve. Dita më e rëndësishme do të jetë ajo e të enjtes, kur prokurorët nga Tirana, të drejtuar nga prokurori i çështjes Tahiri, Besim Hajdarmataj, do të mbërrijnë në aeroportin e Fontanarossa, për të shkuar më pas në burgun e Bikoças.

Një udhëtim që ka si objektiv kryesor marrjen e informacioneve të vlefshme për hetimet që shohin në bankën e të akuzuarëve në Shqipëri, ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Një ditë më parë, ai u lirua nga arresti shtëpiak për t’u gjykuar në gjendje të lirë, pas arrestimit të kushëririt të tij, Moisi Habilaj.

Ky i fundit konsiderohet nga Prokuroria e Katanias dhe hetuesit e Guardia di Finanza si mendja e një trafiku të madh ndërkombëtar droge dhe armësh nga Shqipëria në Itali. Një trafik që nxirrte me miliona euro fitime dhe ulte në të njëjtën tryezë shqiptarët dhe anëtarë të Cosa Nostra-s italiane.

Hetimet e autoriteteve italiane, të përfunduara zyrtarisht në Dhjetor të një viti më parë, do të nxjerrin në gjyq 15 persona, ndërsa seanca e parë do të jetë në 31 Maj. Në disa përgjime të zbardhura eskluzivisht nga Meridionews, trafikantët përmendnin dhe emrin e ish-ministrit Tahiri.

Një lidhje të cilës i shtohet dhe një automjet i përdorur nga banda për lëvizjet dhe që ishte në emër të Tahirit. Por ky i fundit këmbëngul se automjetin ia ka shitur në të zezë kushëririt të tij Habilaj. Prokurorët shqiptarë do të marrin në pyetje të enjten dhe Maridian Sulaj e Nazer Seiti.

Ky i fundit u ekstradua në Itali mes shumë polemikash pasi u arrestua nga policia shqiptare në Vlorë. 41-vjeçari ishte objektiv akuzash dhe polemikash pasi në Shqipëri ishte publikuar lajmi, që më pas u përgënjeshtrua, se po bashkëpunonte me hetuesit e Prokurorisë së Katanias.

Më tej, Meridionews bën dhe një përmbledhje të impaktit që çështja Tahiri ka aktualisht në skenën politike shqiptare, duke shkruar se kriza qeveritare në Shqipëri pas hetimeve të “Rosa dei Venti” vijon ende. Hetimet për Tahirin u paraprinë nga kërkesa për arrestimin e tij, që nuk u pranua nga asambleja parlamentare.

48 orë pas arrestimit të kushëririt Moisi Habilaj, ndërkohë që vëllai i tij Floriani është ende në arrati, politikani socialist tregoi një dokument me vulën e Prokurorisë së Katanias, sipas të cilit, ai përjashtohej nga këto hetime nga pala italiane.

Por Meridionews thekson se dokumenti në fjalë kishte shumë pika të deformuara dhe të ndryshme në krahasim me dokumentet tradicionale që përdorin hetuesit italianë. Për momentin Tahiri, është i lirë nga arresti shtëpiak, dhe po hetohet në gjendje të lirë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!