Projektligji për magjistratët, peng i votës me shumicë të cilësuar në Kuvend

schedule16:48 - 15 Korrik, 2018

schedule 16:48 - 15 Korrik, 2018

Një votim me shumicë të cilësuar mban të papërcaktuar fatin e projektligjit për magjistratët. Ky projektligj është mbartur nga seanca paraardhëse, ndërsa nuk është e qartë nëse do të votohet brenda punimeve të këtij sesioni parlamentar, i parashikuar të mbyllet në fund të muajit Korrik.

Punimet e Kuvendit pritet të përfundojnë në fund të muajit, me datën 27 Korrik të parashikuar nga kalendari i punimeve si dita e fundit e këtij sesioni parlamentar.

19 Korriku është data e seancës plenare të radhës, e cila pritet të shqyrtojë edhe dy projektligje të mbartura nga seanca paraardhëse.

Bëhet fjalë për ligjin për avokatin, si dhe atë “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, që përbën edhe pikën më të nxehtë të legjislacionit të propozuar në këtë verë parlamentare.

Ky projektligj kërkon votën pro të 3/5-tave të deputetëve të parlamentit për miratim, gjë e cila ka vënë mazhorancën në vështirësi numrash.

I parashikuar në rend dite për votim të hënën e 9 Korrikut, projektligji shtyu kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla, të propozonte shtyrjen e votimit të tij.

84 janë votat e nevojshme për të miratuar ndryshimin që zgjat pa afat periudhën kalimtare të parashikuar në ligj për sa kohë nuk janë ngritur ende organet e reja të drejtësisë.

Ky ndryshim është kundërshtuar nga opozita prej fazës fillestare të diskutimit në komisionin e ligjeve, por kjo duket se nuk tret shpresën e socialistëve, të cilët duket në kërkim të 5 votave për arritjen e votave të nevojshme për miratim.

“Ne kemi vullnetin e plotë politik për të ecur përpara në implementimin e plotë të reformës në drejtësi dhe vettingut, por ky ndryshim në ligj kërkon një shumicë të cilësuar, të cilën ne synojmë ta realizojmë përmes dialogut dhe konsensusit politik, me ato palë politike të cilat janë të gatshme t’i qëndrojnë konseguente qëndrimeve të tyre të mëparshme, në mënyrë që të përmbushim të gjitha detyrimet së bashku”, u shpreh deputeti i PS-së, Taulant Balla.

…edhe pse faza për arritjen e konsensusit përmes dialogut lidhur me këtë projektligj konkret ka përfunduar me votimin e tij në komisionin e ligjeve vetëm me votat e mazhorancës.

Opozita parlamentare, ajo demokrate përmes këshilltarit ligjor Gazment Bardhi dhe ajo e majtë në komision përmes ish-minsitrit të Drejtësisë kanë argumentuar pozicionimin e tyre kundër këtij ndryshimi, gjë e cila lë të mendohet se projektligji në fjalë do të mbartet për sesionin parlamentar të radhës, që çelet në muajin Shtator./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!