Leo Messi nga janari është i lirë të firmosë parakontratë me klubin që ai dëshiron, duke qenë se marrëveshja aktuale me Barcelonën përfundon në verë. Manchester City është thuajse i vetmi klub që përballon financiarisht Leon.
Dje Sky Sport raportoi se “Qytetarët” kanë hequr dorë nga “Pleshti” me pretendimin se kostoja prej 100 milionë eurosh në vit për të pasur Messin në skuadër është shumë e madhe. Sot, pa u mbushur 24 orë nga ai lajm, The Times raporton komplet të kundërtën.
Anglezët e duan dëshpërimisht Messin, madje kanë gati një projekt të shtrirë në një dekadë për një nga futbollistët më të mirë të historisë. Raportohet se City është gati t’i ofrojë Messit një kontratë 10-vjeçare, të ndarë në tre etapa.
Fillimisht Leo do të kalonte disa vite te skuadra e Guardiolës dhe më pas do të zgjidhte një mes tetë ekipeve të City Football Group (CFG). New York City janë klubi në pole nëse kjo kontratë materializohet.
Pas tërheqjes nga futbolli Leo do të ishte ambasadori i City Football Group në Botë. Nga ana tjetër Barcelona pas zgjedhjes së presidentit të ri, është gati të nisë ofensivën për të bindur Messin të qëndrojë. /abcnews.al