Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinjtë që kanë kryer kursin e kodimit, duke folur për rëndësinë e teknologjisë dhe inovacionit.
Ai u shpreh se është shumë e rëndësishme që teknologjia të ketë më shumë vëmendje dhe hapësirë. Sot, siç tha Rama janë 340 laboratorë inteligjentë në shkolla.
‘Plani është që të arrijmë 1000 laboratorë inteligjentë. Është drejt përfundimit një tjetër strukturë në Vlorë, aty ku ka qenë një ngrehinë shumë e vjetër…dhe që sot po transformohet në një infrastrukturë dhe funksion të këtij sistemi. Po përpiqemi të zgjerohemi edhe në disa qytete të tjera. Këtu tek piramida për pak ditë, besoj në mesin e majit kur do të bëhet Samiti i Komunitetit Politik Evropian, është planifikuar që së bashku me presidentin e Francës të hapim dhe një tjetër strukturë, është tanimë gati. Ngjitur këtu. Është një strukturë shumë e njohur tanimë në botën e teknologjisë, një shkollë tërësisht ndryshe nga shkollat tradicionale.
Quhet “Ecole 42” ku jepet mundësia të gjithëve pavarësisht moshës, pavarësisht backgroundit akademik, shkollës që kanë kryer që të konkurrojnë për të hyrë në atë shkollë dhe me një program shumë më specifik dhe inovativ, të gjithë këtyre njerëzve që janë të moshave të ndryshme, janë të background-eve të ndryshme, ju jepet çelësi për të hyrë në botën e teknologjisë dhe faktikisht ka rezultuar janë eksperiencë e jashtëzakonshme pasi i ka dhënë mundësi shumë njerëzve te mbetur në kushte vulnerabiliteti për shkak të papunësisë, ose për shkak të humbjes së vendit të punës ose për shkak të mosgjetjes më vend në një profesion të caktuar qe të ndryshojnë tërësisht profil edhe të adaptohen me botën e re, gjë që në një farë mënyre është edhe rasti juaj, por për rastin tuaj nuk mund të thuhet ndryshojnë tërësisht profil se ju jeni në hapat e parë dhe praktikisht është thjeshtë një ndryshim në raport me diplomën, por të imagjinosh që edhe një 40-vjeçar, edhe një 45-vjeçar, edhe një 50-vjeçar të ketë këtë shans, edhe të mos shihet si një dinozaur, kur i afrohet sistemit të teknologjisë, është fantastike. Të gjitha këto janë si të thuash një kantier ku ne po bëjmë çmos që të ndjekim kohën dhe t’u rrimë pranë të rinjve, t’u rrimë pranë vajzave dhe djemve që kanë talent, kanë vullnet, kanë dëshirë. ”, tha Rama.
Më tej kryeministri u shpreh se bota e re e teknologjisë i ka dhënë mundësi shumë njerëzve të përshtaten dhe të ndryshojnë profil.
“Po ashtu programi i start-upeve ka dhënë rezultate inkurajuese dhe është një program që është i destinuar të zhvillohet më tutje dhe të rritet dhe nga pikëpamja e përmbajtjes së vet financiare. Nga ana tjetër dua të ndaj me ju, dy fakte të tjera; e para që ne po shohim një prurje të pazakonshme nëse mund ta quaj kështu, kompanish të huaja që duan të konsiderojnë Shqipërinë si një pikë për të vendosur operacionet e tyre, në pikërisht fushën e teknologjisë. Dhe nga ana tjetër ne jemi shumë të vetëdijshëm që paralelisht me çka bëjmë për të nxitur sipërmarrjen në këtë fushë, kemi një hendek akoma të konsiderueshëm në kërkim-zhvillim dhe duhet të japim më shumë së bashku, për të forcuar pikërisht kërkim-zhvillimin dhe për të zvogëluar hendekun që ka sot midis universitetit dh tregut dhe faktikisht midis kërkimit shkencor abstrakt po themi, për të përdorur një fjalë në funksion të konceptit që shumë energji edhe shumë kohë konsumohet për faktikisht, kërkimet shkencore që pastaj mbeten në vetvete dhe nuk krijojnë vlerë të shtuar. E dimë shumë mirë se si funksionon në vendet që janë pararojë dhe sesi universiteti, kompanitë e teknologjisë së lartë, start up-et, vet institucionet që janë në mbështetje të tyre qëndrojnë të qendërzuar rrotull një perimetri që i lidh ato së bashku dhe faktikisht bëhen zgjatime të kampuseve universitare.”, u shpreh ai./abcnews.al