Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm që të përfitojnë nga programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, duke i ftuar ata t’u drejtohen bankave të nivelit të dytë për të shqyrtuar mundësitë e zgjerimit të aktivitetit të tyre.
Sipas Ramës, programi synon të mbështesë bizneset që duan të rrisin kapacitetet e tyre dhe të zhvillojnë më tej sipërmarrjet.
Gjatë komunikimit “live” në rrjetet sociale, Rama u shpreh se qytetarët mund të marrin informacion edhe përmes kanaleve zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë.
“Por tjetra që do doja të përcillja është pikërisht super programi kombëtar i quajtur “dyfisho ndërmarrjen, sipërmarrjen tënde”. “Dyfisho sipërmarrjen tënde” është një super program i cili i vjen në ndihmë të gjithë atyre që e kanë një ndërmarrje të vogël ose të mesme, jo të madhe, të vogël ose të mesme. Një ndërmarrje të vogël ose të mesme që duan ta rrisin, që kanë ide, që kanë një plan, por nuk kanë financim.
Të gjithë ata, e kanë derën e hapur në këtë super program, sepse do t’i financojë me kredi të butë dhe mbështetje, me garanci qeveria shqiptare, deri në 2 milion euro. 70% të kolateralit të garantuar, 10% periudhë lehtësuese. Pra, në bankat e nivelit të dytë mund të mund të adresoheni për të parë mundësinë e dyfishimit të ndërmarrjes suaj, të sipërmarrjes suaj. Ndërkohë që, në faqen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit në Website ka edhe një adresë ku mund të drejtoheni për të marrë më shumë shpjegime.”, tha ai.
Më tej, Rama foli për zhvillimin ekonomik të zonave malore, duke e cilësuar “Paketën e Maleve” si një mundësi për banorët që duan të zhvillojnë potencialet e këtyre zonave dhe t’i kthejnë ato në burim mirëqenieje.
“Paketa e maleve” është gjëja që i ka munguar njerëzve që kanë të drejtë të gëzojnë pronën e tyre dhe ta kthejnë atë në një burim mirëqenie. Kjo është “Paketa e maleve” dhe këto janë argumentet dhe faktet. Zhurma, llafet dhe akuzat, shpifjet, sharjet vetëm mjegullojnë sytë e atyre që merren me to apo zhyten në to. Paketa e maleve” do të jetë një histori e madhe suksesi e Shqipërisë dhe e shqiptarëve për të ba Zvicrën e vogël të Blertës. Ne po them përsëri me dialektin e maleve. Kështu që po shkoj për Theth aty ku realiteti i hedh poshtë të gjitha, të gjitha aguridhet dhe broçkullat që thuhen për mënyrën se si mund të zhvillohet ekonomia e maleve.
Aty ku realiteti tregon se njerëzit që punojnë dhe fitojnë, në rastin më të mirë në raport me gjithë këto muhabete, kanale sociale, mund të bëhen viktima të sulmeve, siç u bënë, të sulmeve më agresive dhe më të ulëta mbi djersën e tyre, mbi sakrificat e tyre, mbi gjakun e tyre, mbi ato yjet e përshtypjeve të njerëzve që shkonin, shkojnë dhe do vazhdojnë të shkojnë, të trokasin në dyert e atyre ekonomive, të atyre realiteteve, të atyre agro-turizmave, të atyre bujtinave. Ato yje ndajnë Shqipërinë e dembel haneve që duan vetëm lekë dhe flasin vetëm për lekë dhe nuk lënë gjë pa thënë për të gjithë të tjerët që lekun e fitojnë me punë dhe që e kanë në majë të gojës fjalët më të ulëta dhe që shpifin e shajnë për këdo. “, tha Rama./abcnews.al



