Irani deklaroi se bisedimet me Shtetet e Bashkuara mbi programin e tij bërthamor, pas sulmeve të Izralin, nuk kanë kuptim të zhvillohen, ndërsa akuzon Uashingtonin për mbështetjen e sulmit.
“SHBA veproi në një mënyrë që i bën bisedimet të pakuptimta. Nuk mund të pretendosh se po negocion ndërsa në të njëjtën kohë ndan punën duke lejuar Izraelin të shënjestrojë territorin iranian”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.
Sipas tij, Izraeli arriti të ndikonte në procesin diplomatik dhe se sulmi izraelit nuk do të kishte ndodhur pa lejen e Uashingtonit.
Irani më parë kishte akuzuar Shtetet e Bashkuara për bashkëpunim në sulmet izraelite, por Uashingtoni e mohoi akuzën dhe i tha Teheranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se do duhet të negociohej për programin e tij bërthamor.
Raundi i gjashtë i bisedimeve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara mbi programin bërthamor të Iranit ishte planifikuar të zhvillohej të dielën në Muscat, por nuk është e qartë nëse ato do të zhvillohen pas sulmeve izraelite ndaj Iranit.
Irani thotë se programi i tij i pasurimit të uraniumit është vetëm për qëllime civile, duke hedhur poshtë akuzat izraelite se po zhvillon armë bërthamore sekrete.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ai dhe ekipi i tij e dinin që sulmet izraelite ishin të afërta, por vuri në dukje se ata ende shihnin mundësi për një marrëveshje mbi programin bërthamor të Teheranit.
/abcnews.al/