“Program elektoral, jo qeverisës”, Soko: “Rama 3” duhej të adresonte largimin masiv të shqiptarëve

schedule19:54 - 17 Shtator, 2021

schedule 19:54 - 17 Shtator, 2021

Për ekspertin e ekonomisë Pano Soko programi i qeverisjes “Rama 3” ngjante më shumë si një program elektoral. Në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC, Soko bëri një analizë përgjithshme të programit, duke shpjeguar që ajo që mungon në tërësi është një platformë reale dhe konkrete.

“Mu duk më shumë si program elektoral. Dy të tretat e programit kishte të bënte me arritjet, si u rritën pagat dhe në fund kishin lënë diçka për atë që do të bënin.”

Nga i gjithë programi i qeverisë Rama, ekspertit i ekonomisë vlerëson si koncept të ri dhe pozitiv vetëm një skemë tek shtylla e Shëndetësisë. Sipas tij, në tërësi në program kishte diskordanca të konsiderueshme në shifra.

Duke u ndalur tek rindërtimi, Pano Soko sjell në vëmendje se, sipas asaj që thuhet në program, deri në pranverën e 2023 të prekurit do të jenë pajisur me një shtëpi të re. Ky afat sipas tij, është vendosur në mënyrë strategjike që të përdoret për zgjedhjet lokale.

“Rimëkëmbja nga pandemia: një kapitull që fliste për gjithçka është bërë. Nuk kishte diçka të re, për atë që do të bëhej.”

Adresimi kryesor që duhej të bëhej në këtë program ishte, sipas ekspertit të ekonomisë, ishte largimi në masë i shqiptarëve nga vendi.

“Pjesa e digjitalizimit, çështja kryesore ishte digjitalizimi i marrëdhënies mes tatimpaguesve dhe organeve tatimore. U bë viti i gjashtë që e dëgjoj dhe nuk ka një hap që të fillojë si projekt.”

Por si duhej të ishte ndërtuar programi qeverisës i PS që, të paktën në sytë e një eksperti, të premtonte rezultate?

Pano Soko: “Do të më pëlqente nëse do të kishim një ristrukturim. Më pëlqen puna me themel. Ristrukturim i sektorëve. Të kishim një projekt strukturues për të gjithë sektorët. Do të më pëlqentë që t’i futeshim me themel problemeve që ka ekonomia, që nga punësimi, nga bujqësia. Fermeri ka nevojë për një bankë …Duhet një kompani që të merret me tërheqjen e produktit. Ta lëmë që vetëm të punojë tokën. ..Gjeja e parë është qartësimi, sjellja në një plan konkret real.  Nëse do të kemi nevoje për nisjen e një projekti të ri për ekonominë, gjëja e parë që duhet është një dokument strategjik zhvillim.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!