Deputet në dy mandate/ Kush ishte Gerti Bogdani, i riu i PD që solli frymë të re në politikën e opozitës

schedule13:20 - 18 Shtator, 2024

schedule 13:20 - 18 Shtator, 2024

Zemra e tradhtoi shumë herët Gerti Bogdanin. Ish deputeti që mbylli sytë përgjithmonë në moshën 44 vjecare, ishte një nga figurat më aktive të Partisë Demokratike.

Mësohet se Bogdani ndërroi jetë si pasojë e një arresti kardiak, nga i cili nuk mundi të mbijetojë me gjithë ndërhyrjen e mjekëve.

Gert Bogdani ishte i martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe është babai i Ajrës dhe Reinartit.

Kush ishte Gerti Bogdani

Gerti Bogdani (lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë), politikan shqiptar, ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.

Pasi mbaroi shkollën e mesme, me rezultate të shkëlqyera dhe “Medalje Ari”, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku diplomohet me ‘Nderimet më të Larta’, gjithashtu me medalje ari.

Pas përfundimi të studimeve Bogdani u rikthye në Shqipëri, ndërsa filloi karrierën profesionale në fushën akademike, ndërsa themeloi dhe drejtoi rrjetin e Studentëve Shqiptarë në Botë.

Në vitin 2007, Bogdani bëhet pjesë e politikës. Ai kandidoi në siglën e Partisë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton.

Gjate kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdon aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Në vitin 2011 zgjidhet zv/president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë”. Ndërsa në në shtator 2015 zgjidhet Kryetar i kësaj organizate, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mban një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.

Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave. Në 2022 Bogdani garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për garën e Tiranës, në zgjedhjet vendore të 2023. Gjatë angazhimit të tij politik, ai i ka dhënë gjithnjë zë nisma politike për mbrojtjen e vlerave të qytetarisë dhe trashëgimisë së Tiranës, qyteti ku u lind dhe u rrit./abcnews.al