Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Profesioni i rrallë që po zhduket” Ervin Ziu, njeriu që ende i jep jetë filmave me bobina

schedule13:16 - 3 Korrik, 2026

schedule 13:16 - 3 Korrik, 2026

Në një kohë kur teknologjia dixhitale ka zëvendësuar pothuajse çdo hallkë të kinemasë tradicionale, në Arkivin e Filmit Shqiptar vazhdon të ushtrohet një profesion i rrallë, që dikur ishte zemra e çdo salle kinemaje. Ervin Ziu është një nga kinomekanikët e fundit në Shqipëri, një zanat që ai nuk e zgjodhi rastësisht, por e trashëgoi nga babai i tij, Theodhor Ziu, një prej kinomekanikëve më me përvojë në vend.

Që në fëmijëri, Ervini u rrit mes bobinave të filmit, projektorëve dhe sallave të kinemasë. Ai kujton se hapat e parë në këtë profesion i hodhi që në moshë shumë të vogël, ndërsa deri në moshën 13-vjeçare kishte mësuar pothuajse të gjitha sekretet e zanatit.

“Dashuria për kinemanë nuk lindi rastësisht. Babai im ma transmetoi këtë profesion dhe jam krenar që vazhdoj rrugën e tij”, shprehet ai.
Sot, Ervin Ziu është pjesë e Arkivit të Filmit Shqiptar, ku puna nuk lidhet vetëm me projektimin e filmave, por edhe me ruajtjen e një pasurie të çmuar kulturore. Çdo bobinë përfaqëson një copëz historie, kujtesën e kinematografisë shqiptare dhe punën e brezave të artistëve.



Procesi është i gjatë dhe kërkon njohuri të specializuara. Filmat 35 milimetër montohen me kujdes në bobinat e projeksionit, kontrollohen fotogram pas fotograme dhe vetëm më pas bëhen gati për shfaqje. Çdo gabim, sado i vogël, mund të dëmtojë pelikulën ose të ndërpresë shfaqjen.

“Kur ndizet projektori dhe drita kalon përmes filmit, çdo fotogram merr jetë. Është një emocion që teknologjia moderne nuk mund ta zëvendësojë”, thotë ai.
Ervini tregon se dikur punohej me projektorë rusë dhe kinezë, ndërsa çdo film përbëhej nga disa akte që duhej të ndërroheshin me shpejtësi gjatë shfaqjes. Sot, filmat montohen në një bobinë të vetme, por projektorët me pelikulë janë bërë gjithnjë e më të rrallë.

Në Arkivin e Filmit, bobinat ruhen në ambiente të posaçme me temperaturë nga 7 deri në 10 gradë Celsius, për të garantuar jetëgjatësinë e tyre. Çdo film identifikohet përmes kodeve të vendosura mbi kapakun e bobinës dhe kalon në një proces të kujdesshëm kontrolli përpara se të projektohet. Megjithatë, Ervini pranon se ky profesion po shkon drejt zhdukjes. Në Shqipëri nuk ka më shkolla apo kurse që përgatisin kinomekanikë të rinj dhe me kalimin e viteve, numri i njerëzve që e ushtrojnë këtë zanat është reduktuar ndjeshëm.

“Do të doja që një nga fëmijët e mi ta vazhdonte këtë profesion, por besoj se do të jetë shumë e vështirë”, thotë ai me keqardhje. Historia e Ervin Ziut është historia e një zanati që për dekada solli magjinë e filmit në ekranet shqiptare. Një profesion që sot mbijeton falë pasionit të pak njerëzve, të cilët vazhdojnë të ruajnë jo vetëm bobinat e filmit, por edhe kujtesën e kinemasë shqiptare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!