Profesor Artan Fuga në bisedë me gazetarin Mustafa Nano në “Provokacija” dha opinionin e tij se si duhet të jetë një gazetar në komunikim me pushtetarët.
Prof. Fuga tha se e adhuron një gazetar që tregon arrogancë ndaj pushtetarëve përfshi edhe kryeministrin por se këtij të fundit nuk i lejohet kjo gjë pasi ka një status tjetër.
Sipas Prof. Fugës, gazetari duhet të ketë një rol të atillë, sa të bëj të mundur transparencën, dhe kjo arrihet sipas tij, me agresivitetin, dhe mosbesimin përballë çdo lloj pushtetari.
Pjesë nga biseda:
Prof. Artan Fuga: Unë e adhuroj një gazetar që tregon arrogancë ndaj çdo pushtetari përfshi edhe kryeministrin. Do doja që kryeministri të mos përdorte asnjë nga këto teknika, që mund të përdorë dikush tjetër, sepse ai ka një status tjetër.
Në logjikat e komunikimit, çdo formë dhe çdo teknikë e të folurit varet nga statusi. Dhe në një bisedë pavarësisht se bëhet në të njëjtën tavolinë, nuk mund të ketë të njëjtën etikë.
Në filozofinë e akteve të të folurit, që është një nga filozofit më të rëndësishme të shek 20 dhe 21 që bën filozofinë e akteve të veprimit të të shprehurit , është që secili duhet të jetë në statusin e vet. Pse gazetari është arrogant, cinik, i drejtpërdrejtë, kapërcen pak etikën e të tjera me radhë, një funksionar duhet të jetë i ftohtë, i saktë, duke respektuar etikën sepse ka një status tjetër.
Nuk i besoj tezës Kantiste që mos i bëj tjetrit atë që s’do të ta bëjnë ty, kjo është një barazi që nuk i qëndron diversifikimit të pozicioneve të njeriut, psh. “Mjeku mund të më bëj një gjilpërë mua, por unë s’mund ti bëj një gjilpërë mjekut”. Dmth është një problem shumë i rëndësishëm; për mua norma etike nuk është një normë universale por është një normë segmentare, konjukturale, kontekstuale.
Mustafa Nano: Në këtë studio kanë ardhur deputetë që unë nuk kam respekt, por i kam ftuar ata se përfaqësojnë diçka, edhe në terma elektoralë, edhe në terma politikë, institucional. Por megjithëse nuk ka respekt, unë u jam drejtuar atyre me JU, në respekt të asaj që ata përfaqësojnë. Mendoj që ne gazetarët duhet të respektojmë ata që përfaqësojnë diçka, nuk jeni dakord me këtë?
Prof. Artan Fuga: Ju përfaqësoni opinionin publik që është forca më e madhe më legjitime në një shoqëri demokratike se çdo pushtetar i përcaktuar. Ju e ndiqni mediat amerikane, evropiane, gazetarët më të mirë opinionistë që drejtojnë forma të ndryshme të gazetarisë, janë të tillë që vendosen në një pozicion armiqësie ndaj të ftuarit. Unë nuk shkoj në shumë emisione sepse ndjej që ndaj meje ka një lloj mirëdashje por unë nuk jam një zyrtar.
Një zyrtar ftohet nga gazetarët sepse konsiderohet i fajshëm që ka diçka për të fshehur. Gazetari e llojit më të lartë është të çjerrë fasadën e tij, sipas gjithë teorive kushdo që vjen në studion tënde vë një maskë, dhe detyra e gazetarit është ta çjerrë këtë maskë. Roli i gazetarit ky është; të jetë mosbesues, të konsiderojë që nuk është naiv, të mendojë se gjithë gjërat që thuhen deklarohen për të mbajtur një pushtet. Dhe kjo është pikëpamja ime që nuk lëviz./abcnews.al