Hetimet për TIMS, Balla: Indicjet në prokurori. Nuk kemi dyshime për rrjedhje informacioni

schedule13:44 - 30 Gusht, 2023

schedule 13:44 - 30 Gusht, 2023

Ministria e Brendshme zotohet se në sistemin TIMS nuk janë marrë dhe as keqpërdorur të dhënat e qytetarëve. Tualant Balla i dha përgjigje kështu edhe shqetësimit të Ambasadës Amerikane për këtë cështje, duke sqaruar se e gjithë zhurma është shkaktuar nga një staf i ri i Policisë së Shtetit që ka ndërhyrë për të siguruar të dhënat.

Cështja sipas Ballës është dërguar në Prokurori vetëm për të hequr dyshimet.

“Në media gjithmonë edhe dyshimet bëhen fakte. E vërteta është ndryshe, Shqipëria është sulmuar nga një sulm kibernetik, në 2022, nga ai momet po marrim masa për të rritur digat mbrojtëse. Nuk jemi i vetmi vend, që jemi nën sulme. SHBA ka asgjesuar një prej hakerave më të mëdhenj. Është një betejë. Nuk ka patur rrjedhje të të dhënave nga TIMS, e vërteta është ndërsa një ekip I ri brenda policisë ka marrë përsipër një ndryshim tërësor të mënyrës së administrimit ndodh që ata që janë larguar mund të kenë kritika apo ankesa, mund të ngrenë dyshime. Garantoj cdo qytetar, asnjë e dhënë nga TIMS nuk ka rrjedhur. Nuk ka një kallëzim, kam kërkuar që të dhënat të vlerësohen edhe nga prokuroria. Është një standard i ri që do vendoset në strukturat e varësisë, që në të gjitha rastet, edhe kur nuk ka element të veprës penale, t’i vihet në dispozicion prokurorisë. Garatojmë që në pikat kufitare mos ketë vonesa e trafik, jam informuar që nuk kemi probleme .” tha ai.

Ministri i brendshëm thotë se fijet e krimit në policinë e shtetit po priten dita ditës, por 40 ditët e tij në krye të dikasterit nuk mjaftojnë për pastrim të plotë.

“Procesi i vetëpastrimit sapo ka nisur, nuk jam këtu që brenda 40 ditëve të them se ia kam arritur qëllimit. Kam thënë që po punoj cdo ditë në bashkëveprim me strukturat ligjzbatuese. Këtë proces do e kryejmë në një kohë sa më të shkurtër. Punonjës policie që tradhtojnë nga brenda aksionet, do të jenë në zhdukje. Fijet që lidhin policë me organizata kriminale apo me tradhtimin e akisionit të policisë do të priten ditë pas dite. Është trashëguar një kancer që ka cuar edhe në humbjen e jetëve. Të gjithë e mbajme mend 7 gushtin e 2009, kur sot kemi 4 dëshmorë për shkak të rrjedhjes së informacionit. Vetëpastrimi po jep rezultate. Në gusht kemi patur 3 punonjës të arrestuar, dhe ndërkohë ju informoj se kemi plot hetime të tjera në proces si edhe për shqetësime që janë ngritur në pulbik, ku cdo lloj aksesi me elementë kriminalë, është thyerje e rëndë e kodit etik. Sot kodin etik e keni në të gjitha komisariatet dhe e kam bërë të qartë, asnjë nuk do tolerohet. Në korrik kemi patur një rast.” tha Balla, ndërsa iu përgjigj interesit të medias edhe mbi sistemin TIMS.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!