Procesi i shitjes së Vllaznisë, Fushaj drejtohet me ankesë zyrtare

schedule13:57 - 2 Mars, 2021

schedule 13:57 - 2 Mars, 2021

Prej ditësh vijon të jetë e hapur tërheqja e dokumenteve në rrugë zyrtare për ankandin lidhur me privatizimin e Vllaznia sh.a, që do zhvillohet në datën 9 mars të këtij viti pranë bashkisë Shkodër. Ashtu siç ka paralajmëruar, një prej atyre, që ka tërhequr dokumentacionin është edhe ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, njëkohësisht administrator i shoqërisë “Colosseo Construksion” sh.p.k.

Ish-presidenti Fushaj i është drejtuar me një ankesë lidhur me këtë ankand publik bashkisë Shkodër, pasi kriteret e vendosura cilësohen si të padrejta, por edhe në kundërshtim me ligjet në fuqi. Tashmë ankesa e shoqërisë “Colosseo Construksion” është dorëzuar në rrugë zyrtare pranë bashkisë Shkodër.

Në këtë ankesë thuhet: “Gjatë përgatitjes së dokumentacionit të kërkuar nga ana juaj, konstatojmë se janë vendosur kritere për kualifikim që janë të paqarta dhe njëkohësisht në kundërshtim me parashikimet e dispozitave ligjore ne fuqi”.

Sipas ankesës në fjalë, bashkia Shkodër ka vendosur kritere në kundërshtim me ligjin, diskriminuese dhe madje për të favorizuar eventualisht ndonjë subjekt të interesuar, pasi është shkelur neni 29 i ligjit 9874 i 14 shkurtit 2008 “për ankandin publik”, ligj që përcakton qartësisht se cilat janë kriteret, që duhet të vendosen në procedurën e hapur të ankandit publik ndërkohë që Bashkia Shkodër vendos kritere ekstremisht të ekzagjeruara dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke mos pasur asnjë arsyetim logjik dhe ligjor për vendosjen e tyre.

 

Të gjitha kriteret e vendosura nga Bashkia Shkodër bien ndesh me qëllimin që ka ligji për ankandet publike, konkretisht, ajo që konstatohet është shkelja e nenit 1/c për nxitjen e konkurrencës nëpërmjet subjekteve të interesuara, pasi po të ishte bërë një verifikim paraprak ne organet tatimore se cilat janë dhe sa është numri i bizneseve, që kanë realizuar sponsporizime është shumë i vogël për të mos thënë nuk ekziston fare.

Në këtë ankesë thuhet se “vendosja e këtyre kritereve nuk siguron trajtim te barabarte për te gjithë, pasi favorizon ne mënyrë direkte subjektet e preferuar nga ana juaj”. Ne piken ‘q’ te kërkesa për kualifikim është kërkuar që subjekti pjesëmarrës duhet të ketë kontrata, transaksione dhe eksperienca në bashkëpunimin, financimin ose menaxhimin e klubeve sportive, shoqërive sportive të futbollit apo sporteve të tjera të ngjashme, minimalisht në tre vitet e fundit, pjesë e veprimtarisë të subjektit të publikuar ne QKB.

 

Nëse është përcaktuar shprehja “minimalisht”, normalisht që të sqarohet edhe e kundërta e saj . Po “maksimalisht” deri kur është e lejueshme dhe e pranueshme për ju që të ekzistojë një eksperiencë e ngjashme. Po ashtu është lënë në mënyrë evazive “përcaktimi i sporteve të ngjashme”, duke mos sqaruar se cilin prej sporteve do të vlerësojë si të ngjashëm Bashkia Shkodër, apo thjesht do te bëjë vlerësimin vetëm mbi baza subjektive duke favorizuar subjektin e saj preferencial.

Ështe kërkuar që të paraqiten dokumentacione sponsorizimi në përputhje me legjislacionin tatimor, ndërkohe që legjislacioni tatimor e kushtëzon ruajtjen e dokumenteve kontabël tatimor për një periudhë 5-vjeçare. Duke sjellë përjashtimin automatik të subjekteve, që kanë kryer sponsorizime në periudha më të largëta se 5 vite.

 

Përpilimi i dokumenteve është bërë në mënyrë tendecioze duke të lënë përshtypje sikur janë  vendosur në dëm të ndonjë subjekti dhe jo në dobi të subjekteve të interesuara. Nuk është dhënë as ndonjë sqarim në lidhje më faktin se çfarë do të bëhet me detyrimet eventuale që mund të ketë shoqëria klubi i futbollit “Vllaznia sh.a”.

Në mënyrë që të mos ketë pengesa dhe paqartësi në nënshkrimin e kontratës mes fituesit të ankandit dhe Bashkisë Shkodër. Duke parë gjithë këto shkelje ajo që kërkohet është ndryshimi i kritereve të kualifikimit në këtë ankand në përputhje me ligjin ose në të kundërt do të ndiqet edhe në organe më të larta. Ndërkohë sipas burimeve kjo nuk është e vetmja ankesë sepse edhe të interesuar të tjerë kanë paraqitur ankesat e tyre duke pasur thuajse të njëjtat qëndrime. /abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!