Rinumërimi i pjesshëm i votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, në disa komuna të Kosovës ka shpërfaqur mospërputhje të shumta, për kandidatë që përfshijnë të gjitha partitë politike. Këto mospërputhje të votave në regjistrat përfundimtar, nuk ndryshojnë përqindjen e rezultatit të partive politike, por ndryshojnë rezultatin e kandidatëve për deputet brenda subjekteve politike.
Nga mbi 900 vendvotime në të gjithë Kosovën që shkuan në rinumërim, sipas një vendimi të KQZ-së, në komunën e Prizrenit dalin mospërputhjet më të mëdha deri tani. Kandidatëve të caktuar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), u janë shtuar rreth 19 mijë vota që nuk i kanë marrë nga qytetarët në kuti. Atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dallimi është rreth 4.500, ndërsa të Vetëvendosjes mbi 3.100. Dallime më të vogla ka edhe te partitë tjera.
Mospërputhjet e mëdha
Pas këtyre mospërputhjeve të votave në kuti me regjistrat përfundimtar të kandidatëve të caktuar për deputet dhe dyshimeve për “vjedhje” të votave, kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, tashmë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova, duke përfshirë edhe nënshkrimet e komisionerëve. Sipas Kryeziut, “çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore, nuk duhet të qëndrojë i qetë”.
“Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në cilësinë e kryeprokurorit, me vetiniciativë kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës, të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndrojë i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”, ka thënë prokurori Kryeziu.
Edhe pjesëtarë të shoqërisë civile që kanë monitoruar procesin zgjedhor, kanë bërë thirrje që prokuroria të nisë hetimet dhe ndjekjet penale për, siç thonë, “manipulim të votave të kandidatëve”.
Kërkohen hetime dhe dënime
“Emrat e komisionerëve për secilën tavolinë numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dihen. Por këto manipulime nuk janë bërë krye në vete nga komisionerët. Dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim të vetëm, e mijëra në nivel komune – kryesisht për kandidatë të caktuar dhe në komunat e tyre – nuk janë as rastësi, as gabim njerëzor”, tha Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që vazhdimisht monitoron proceset zgjedhore. Sipas Cakollit, “përfshirja e kandidatëve të caktuar në këto skema është shumë e mundshme”. Kështu që sipas tij, “hetimi, pashmangshëm duhet t’i përfshijë edhe ata”.
Si zhvillohet procesi i numërimit të votave?
Në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve, ku lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i fundit e verifikon fletën.
Megjithatë, sipas organizatave të shoqërisë civile, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër. Në këtë mënyrë në sistem regjistrohet votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Në fund, numri i votave për parti të caktuar nuk ndryshon, por ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti. Ndaj këtij fenomeni dhe këtyre zhvillimeve reagoi Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila për kandidatët e saj pati më së shumti mospërputhje të rezultateve. Sipas PDK-së, “manipulimet e votave janë të papranueshme”.
PDK: Të respektohet vullneti i popullit
“Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve. Partia Demokratike e Kosovës i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në një komunikatë të PDK-së.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se “përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”, duke iu referuar LDK-së.
Kërkohet rinumërim i plotë
“Institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesë dhe pa përjashtim. Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim. Dhe për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhur. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, shkroi Abdixhiku.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se “meqë deri tani janë gjetur dhjetëra mijëra fletëvotime me gabime, pa rinumërim të tërësishëm nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”. Ai thotë se prokuroria duhet të nisë hetime lidhur me manipulimet e mundshme. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërkaq, ka thënë se “nëse pas rinumërimit vërehen manipulime të mundshme me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, komisioni do t’i çojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit”.
Manipulimet dhe zgjidhja
Sidoqoftë, organizatat e shoqërisë civile thonë se mënyra të tilla të keqpërdorimit të votave brenda subjekteve politike për kandidatë të caktuar janë vërejtur në pothuajse secilin proces zgjedhor në Kosovë. Sipas tyre, zgjidhja për këtë problem do të ishte vetëm skanimi teknologjik i fletëvotimeve në vend të numërimit fizik nga komisionerët. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas këtyre zhvillimeve ka thirrur mbledhje për ditën e hënë, 19.01. Nëse KQZ vendos që të shkohet në nivel vendi në rinumërim të të gjitha votave për kandidatë për deputet, kjo mund ta vonojë certifikimin e rezultateve dhe rrjedhimisht e vonon edhe themelimin e institucioneve të reja, konstituimin e Kuvendit, i cili deri më 4 mars është i obliguar ta zgjedhë presidentin apo presidenten e Kosovës, para se presidentes aktuale, Vjosa Osmani, t’i përfundojë mandati./DW


