Procedurat/ Kërkesa për imunitetin apo arrestimin e një deputeti

schedule14:50 - 20 Tetor, 2017

schedule 14:50 - 20 Tetor, 2017

Sipas rregullores së Kuvendit, Këshilli i Rregullores së Mandateve dhe Imuniteteve vihet në levizje pas një kërkesë drejtuar nga prokuroria për kufizim ose heqje imuniteti për një ligjvënës për të filluar ndjekje penale ndaj tij apo duke leje për arrestimin e tij.

Kërkesa i paraqitet këshillit nga kryetari i kuvendit. Po ashtu, deputeti për të cilin kërkohet fillimi i ndjekjes penale njoftohet mbi këtë kërkesë, si dhe i vihen në dispozicion materialet e përcjella nga Prokuroria, me qëllim përgatitjen e tij për të folur gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.

Ky këshill, sipas rregullores se kuvendit, ka 4 javë kohë pas përfundimit të shqyrtimit të kërkesës për të përpiluar raportin që do t’i përcjellë seancës plenare, ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për autorizim për ndjekje penale për deputetin. Shqyrtimi i këtij raporti vendoset si pikë e parë në rendin e ditës së seancës pasardhëse plenare.

Në këtë seancë i jepet fjala edhe deputetit për të cilin është drejtuar kërkesa, në mënyrë që të japë shpjegime ose t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve të tjerë. Por rregullorja parashikon që në këtë seancë nuk ka diskutime lidhur me Raportin e Këshillit të mandateve.

Kuvendi vendos me votë të fshehtë nëse do të japë apo jo autorizimin për fillimin e ndjekjes penale apo arrestimin e deputetit. Sipas rregullores, nëse kuvendi nuk e merr këtë vendim, brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.