Procedim disiplinor komisionerit që duhet të bëjë Vettingun

schedule17:30 - 5 Mars, 2018

schedule 17:30 - 5 Mars, 2018

Komisioneri publik i vettingut, Heral Saraçi, kërkoi më shumë kohë për t’u mbrojtur ndaj akuzave të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, për shkelje disiplinore dhe proceduriale. Seanca e kolegjit të posacëm të apelit u shty për të mërkurën.

Përpara se t’i bëjë Vettingun gjyqtarëve dhe prokurorëve, Heral Saraçi, i zgjedhur me 11 vota pro për Komisionin Publik duhet të mbrohet ndaj akuzave që i ka drejtuar atij Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Ndodh për herë të parë një seancë dëgjimore për shqyrtimin e një procedimi disiplinor të kërkuar nga ONM. Shkeljet sipas gjyqtares së hetimit, Natasha Mulaj kanë të bëjnë më së shumti me mospërmbyshjen e detyrimeve ligjore të komisionerit Saraçi për hartimin e rregullores së komisionit publik dhe për parregullsi në lidhjen e dy kontratave punësimi ku Heral Saraçi rezulton të jetë i vetmi që e ka firmosur ndërkohë që duhej edhe firma e komisonerit tjetër publik.

Edhe pse kjo seancë nuk duket se ka të bëjë me shkelje të rënda, për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit është i rëndësishëm zbatimi i saktë i procedurave dhe detyrave që i ngarkon ligji të gjithë komisonerëve që kanë në duar fatin e Vettingut.
Vetë komisioneri Saraçi kërkoi më shumë kohë për tu mbrojtur pasi dosjet janë voluminoze tha ai.

Heral Saraçi: “Ky procedim disiplinor ka nisur me datë 14 Shkurt dhe që atëherë janë më pak se 20 ditë, kohë e pamjaftueshme për mua që të verifikoj të gjithë dokumentacionin që më është vënë në dispozicion”.

Gjykatësi: Ju keni gjetur mbrojtës në këtë proces”?
Heral Saraçi: “Unë nuk kam gjetur mbrojtës për momentin sepse çdo gjë lidhet me kohën që kam në dispozicion”.

Trupi gjykues vendosi që t’i japë mundësinë për t’u përfaqësuar me një avokat komisionerit publik, duke e shtyrë seancën për në datën 7 Mars. Atë ditë do t’i japë përgjigje akuzave, konfirmoi Heral Saraçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!