Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame u bëri thirrje qytetarëve gjatë premtes që duke filluar nga dita e hënë të dorëzojnë dokumentacionin për të regjistruar banesat apo trojet e tyre. Ai tha se janë 12 deri në 13 mijë banesa të paregjistruara, ku rekordin e mban Saranda me rreth 3500 troje me probleme.
Në të gjithë vendin janë rreth 12 deri në 13 mijë banesa dhe troje të paregjistruara dhe me probleme. Këtë e bëri të ditur vetë drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame gjatë një deklaratë për mediat, I cili theksoi se Saranda mban edhe rekordin me plot 3500 troje të paregjistruara.
“Sot në të gjithë vendin janë 12-13 mijë banesa dhe troje në këtë situatë absurde, ku rekordin e mban Saranda me rreth 3500 troje të dhëna në këtë mënyrë. Të tilla troje ka me shumicë edhe në Gjirokastër, Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Berat, Fier, Elbasan, Lezhë, Kukës, Shkodër etj. E them me përgjegjësi se në një pjesë të këtyre rasteve procesi i dhënies së trojeve ka qenë i parregullt dhe i paligjshëm. Faji nuk është i qytetarëve, por i njësive vendore apo kryetarëve të bashkive që i kanë hyrë këtyre aventurave që ende e kësaj ditë i paguajnë banorët”.
Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Lame i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që duke filluar nga e hëna të dorëzojnë dokumentacionin përkatës për të ligjëruar pronat dhe trojet e tyre, por nuk la jashtë vemendjës edhe protestën e opozitës.
“Nesër qytetarët mund të shkojnë, ata që janë të interesuar të ndjekin edhe protestën e opozitës, por të hënën të fillojnë të plotësojnë dokumentacionin përkatës me qëllim që të ligjërojnë banësën dhe truallin e tyre pranë zyrave tona të Kadastrës”.
Agjensia e Kadastrës e sapo krijuar konsiderohet tashmë si themeli i reformës së pronës, e cila është në varësi të Kryeministrit./ABC News Albania 24/7