Nga Ajgena Korbi
Nëse në dy vitet e pandemisë së COVID 19 nxënësit lanë bankat e shkollës më pak të përgatitur për shkak të mësimit online, rënia e nivelit arsimor të gjimnazistëve ka nisur më herët dhe nuk ka vetëm një shkak.
“Kemi një periudhë 30 vjeçare, periudhë tranzicioni ndoshta, gjatë së cilës rëndësia që i kemi kushtuar arsimit ka qenë gjithmonë minimale. Pandemia ndoshta e theksoi më shumë ose i vuri vulën kësaj rënie“.
Mësimi online mendon ekspertja e arsimit Valbona Nathanaili rriti fiktivitetin ndërkohë që nota mbizotëruese në dy lëndët bazë, matematikë dhe gjuhë shqipe – letërsi nuk e kaloi 6 dhe 7.
Tendencë thuajse e njëjtë vihet re tetë vitet e fundit.
Përgatitja e mësuesve sipas Nathanailit nuk është prioritet ndërsa ndryshimet në kurrikula nuk ecin paralel me zhvillimin e orës mësimore.
“Cilësia e mësuesve jo gjithmonë është ajo e dëshiruara, por për shkaqe të ndryshme na duhet ti pranojmë në sistem. Problemi është çfarë pune bën shkolla me këta mësues që ndoshta nuk e bëjnë si duhet mësimin për të arritur cilësinë e duhur.
Këtu patjetër çalon puna. Duke kaluar në kurrikulën me bazë kompetencat, nuk kanë ecur paralelisht kurrikula me mënyrën e organizimit ose strukturës së orës së mësimit që kemi në shkolla, për shkak të mungesës së labortorëve, për shkak të këtij raportit mësues nxënës që kemi nëpër klasa.
Sipas një prononcimi të ministres së Arsimit sivjet kanë vajtur 200 laboratorë nëpër shkolla, por duke llogaritur me numrin e përgjithshëm të shkollave që kemi në arsimin publik i bie që në përqindje numri i shkollave që ka marrë laboratorë është 13%. Që të pajisen të gjitha shkollat me laboratorë na duhen 10 vjet“.
Por çfarë do ta rriste cilësinë sipas ekspertes së arsimit në një kohë më të shkurtër?
“Shkollën e bëjnë mësuesit. Pa mësues të mirë, të motivuar, të përgjegjshëm, pa mësues të cilët i mbështet sistemi ne do të vazhdojmë të kemi rezultate të dobëta“.
Raporti i Qendrës së Shërbimeve Arsimore publikuar pak ditë më parë tregoi një rënie të nivelit të gjimnazistëve me tre deri në katër nota në testet e maturës në raport me rezultatin vjetor.
Me dhjetë në gjuhë shqipe dhe letërsi u vlerësuan 5% e maturantëve kundrejt 20% në gjuhë të huaj. Ndërsa në matematikë 5.7% e atyre që mbyllën gjimnazin vjet. /abcnews.al