Një ngadalësim dramatik në testim po minon përgjigjen e SHBA ndaj koronavirusit. Quest Diagnostics, një nga kompanitë kryesore që kryen testimet e koronavirusit, deklaroi të hënën se “kërkesa e shpejtë” për shkak të rritjes së rasteve në të gjithë Jugun dhe Jugperëndimin kishte ngadalësuar marrjen e rezultateve të testit përveç pacientëve me përparësi më të lartë, shkruan The Hill.
LabCorp, një kompani tjetër testimi, tha javën e kaluar se rezultati i testit të koronavirusit merrej në katër deri në gjashtë ditë, për shkak të “rritjeve të konsiderueshme të kërkesës për testim dhe kufizimeve të pajisjeve.”
Pritja e gjatë për të marrë rezultatet e testit të Covid-19 e kanë bërë më të vështirë ngadalësimin e përhapjes së koronavirusit. Strategjia themelore për të ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të koronavirusit është të testojmë njerëzit shpejt në mënyrë që ata që rezultojnë pozitivë të izolohen. Gjurmuesit e kontaktit ndihmojnë në identifikimin e personave që kanë qenë kontakt i të infektuarve duke ndaluar kështu përhapjen e virusit tek të tjerët, raporton abcnews.al
Sidoqoftë, të presësh 7 ditë për rezultatin e testit rrit rreziqet që një person i infektuar ta ketë përhapur COVID-19, dhe në këtë mënyrë gjurmimi i kontaktit nuk është aq efikas.
Demokratët dhe shumë ekspertë të shëndetit publik i kanë bërë thirrje muaj me radhë administratës së Trump për të rritur prodhimin e një game të gjerë të furnizimeve të testimit dhe për të koordinuar shpërndarjen e tyre. Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur ka minimizuar nevojën për testime, duke thënë se sa më shumë testime aq më te infektuar do të kemi.
Francis Collins, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë (NIH), i tha komitetit të Senatit në fillim të këtij muaji se NIH po bën presion për të zhvilluar teknologji të reja për të prodhuar një shtesë prej 1 milion testesh në ditë gjatë vjeshtës, raporton abcnews.al
Ndërsa Kongresi po përgatitet për një projekt-ligj tjetër për menaxhimin ndaj koronavirusit, Sen. Patty Murray(Wash), senatore e SHBA-së lëshoi një raport me disa rekomandime për testimet, duke përfshirë edhe sigurimin e fondeve shtesë. Në disa zona më shumë të prekura, ekspertët thanë se mund të ketë një rritje të rasteve, aty ku testimi dhe gjurmimi i kontaktit është i pakët./abcnews.al

