Në sheshin qendror “Zahir Pajaziti” në Prishtinë janë shfaqur parulla që shkruajnë “Jo Vetëvëndosje por negociata. Mashtrues dhe nënshtrues” si dhe fotografitë e Albin Kurtit, Xhelal Sveçlës dhe zyrtarit serb Marko Gjuriç. Ndërkohë që negociohej me Beogradin, Vetëvendosje, vite më parë, kishte si slogan kryesor të vetin “Jo negociata, Vetëvendosje.”
Mediat në Kosovë shkruajnë se grafite të tilla janë shfaqur edhe në qytete të tjera dhe është diçka e organizuar. Nuk dihet ende kush qëndron pas tyre dhe pas këtij mesazhi politik, por ato po dalin në kohën kur Vetëvendosje dhe LDK vazhdojnë përpjekjet për arritjen e bashkë-qeverisjes dhe formimin e qeverisë së re.
Në median e Kosovës është komentuar se çfarë mund të ndodhë nëse nuk arrihet dakordësimi midis dy partive dhe shkohet në seancën konstituive të 24 dhjetorit pa ndonjë marrëveshje. Lëvizja e parë e cila zhbllokon rrugën për krijimin e institucioneve të reja është zgjedhja e kryetarit dhe konstituimi i Kuvendit. Pikëpyetja mbetet se çfarë ndodh nëse Lëvizja Vetëvendosje refuzon të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit. Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e qartëson një gjë të tillë mjaft mirë.
Sipas tij vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe askush tjetër. Ai thotë se nga një situatë e tillë mund të dilet vetëm me vendime arbitrare që nuk gjejnë mbështetje në Kushtetutë. Hasani thotë gjithashtu se në rast se VV do të refuzonte të propozonte emrin për kryetar Kuvendi, atëherë për një situatë të tillë nuk mund të kërkojë askush interpretim nga Gjykata Kushtetuese për të dalë nga një ngërç eventual.
Bazuar në një situatë të tillë, vendi nuk mund të shkojë në asnjë formë në zgjedhje të reja pa u konstituar Kuvendi i Republikës së Kosovës. Praktikisht nuk ka ndonjë shtegdalje nga një situatë e tillë dhe hipotetikisht vendi mund të mbetet në bllokadë, shkruan Express.
Ndërkohë, Lista Srpska, ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se nuk do të bëhen pengesë për krijimin e institucioneve të reja. Ministri në detyrë për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtic, ka deklaruar se Lista Srpska nuk do të jetë pengesë për formimin e Qeverisë së Kosovës dhe ka shtuar se kërkesa minimale e serbëve është që të mos ketë diskriminim ndaj popullit serb në Kosovë dhe përfaqësuesve politik./abcnews.al