TIRANË- Një tjetër i shumëkërkuar nga SPAK, ekstradohet sot nga Dubai për tu përballur me drejtësinë Shqiptare. Bëhet fjalë për për Denis Bajroviç (Bajri), ndaj të cilit GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për vrasje me paramendim në bashkëpunim, grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Denis Brajoviç, u arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, në muajin shkurt 2024, rreth 7 muaj pasi SPAK e shpalli atë në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
37-vjeçari dyshohet se është autori i vrasjes së Gjin Boriçit, më 9 Gusht të vitit 2020. Arrestimi i Brajoviç, u bë falë shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Roli i 37-vjeçarit në ngjarjen për të cilën akuzohet u zbulua pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC, nga ku rezultoi se porositës i vrasjes së Boriçit ishte Ervis Martinaj.
Konkretisht ky i fundit përmes biznesmenit Pëllumb Gjoka i kishte kërkuar Behar Bajrit, gjithashtu i arrestuar në operacionin Metamorfoza, të ekzekutonte Gjin Ndoj Boriçin.
Kështu Behar Bajri i cili edhe pse rezulton të ketë patur marrëdhënie shoqërore me Boriçin, i jep porosi Denis Brajoviçit për të finalizuar ekzekutimin. Në këmbim të vrasjes së tij, Ervis Martinaj do të realizonte vrasjen e Kleant Musabelliut, ngjarje kjo që nuk u krye. Për ekzekutimin e Musabelliut ishte i interesuar biznesmeni Gjoka, pasi kishte tentuar ta vriste këtë të fundit në vitin 2017
/abcnews.al