“Prishja e pazareve të drogës”, arrestohen 4 anëtarë të grupit “Hajri”: Vranë dhe zhduken Jan Prengën

schedule17:26 - 28 Janar, 2020

schedule 17:26 - 28 Janar, 2020

Jan Prenga i cili rezultonte i zhdukur prej 17 janarit, dyshohet se është vrarë, ndërsa trupi nuk është gjendur ende. Autorë të mundshëm të ngjarjes makabre janë katër persona dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia bëri të ditur detaje të operacionit të koduar “Resorti” i nisur të dielën,  ku në pranga përfundoi, Leonard Hajri 36 vjeç, babai i tij Bajram Hajri 64 vjeç, kushëriri Elton Hajri 32 vjeç dhe shoku i tyre Olsi Turja 36 vjeç, të gjithë banues në Shijak.

 

Nga hetimet rezultoi se, autorët e kanë marrë me forcë në makinë 49-vjeçarin Jan Prenga për ta çuar në kompleksin “Golden” pranë Xhafzotaj të Shijakut, që është në pronësi të Altin Hajrit. Vdekja e Prengës ka ndodhur gjatë rrëmbimit ku edhe ka pasur një përleshje në makinën e tip Range Rover të përdorur nga pengmarrësit, në rrugën “Londër” të Kamzës.  Ky automjet u gjet i djegur mëngjesin e 18 janarit në Shkallnur të Durrësit.

Ndërkohë policia konfirmon faktin se trupi i pajetë dyshohet se u dërgua në kompleksin luksoz ku më pas nuk ka më asnjë gjurmë. Dyshimet janë se ekzekutimi dhe asgjesimi i trupit të 49-vjeçarit të jetë kryer për shkak të prishjeve të pazareve të drogës.

Uniformat blu theksojnë se vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga, nuk ka dorëzuar një sasi të konsiderueshme droge që dyshohet se i përkiste vëllezërve Hajri. Kjo është një nga pistat më të forta sipas grupit hetimor ku janë përqendruar kërkimet. Astrit Prenga vuan një dënim në Angli me 8 vite burg, ndërsa vëllai tjetër është në kërkim po për trafik të lëndëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar.

Personat e arrestuar akuzohen për “Rrëmbim personi”, “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, dhe  “Armëmbajtja pa leje./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!