Primaret, Berisha fshin…Duart/ Pasi i zhbëri, doktori përmbysi dhe listat e kandidatëve

schedule23:35 - 12 Mars, 2025

schedule 23:35 - 12 Mars, 2025

Pasi zhbëu primaret, Berisha përmbysi dhe listat e kandidatëve. Hoqi më te votuarit e futi me besnikët.
Në Tiranë, përveç gjithë drejtuesve te tij, dhuratën e ruajti për djalin e Fahri Balliut, duke lënë jashtë të preferuarit e demokratëve. Hysen Kadiu, më i votuari i qarkut në primare njoftoi se meqënëse Berisha i mori hakun duke ia dhënë djalit të Fahriut, nuk do të garojë as në listë të hapur.

Më kokë ulur ishin Alimehmeti me Muçollarin, të cilët pranuan listën e hapur. Kurse nga gratë, Berisha zgjodhi Mesila Dodën, me kushtin që Shpëtim Idrizi të dalë në listë të hapur, ashtu si Meta.
Mbyllja e vendeve për gratë, çuan Jorida Tabakun, më të votuarën në primare, Dhurata Çupin apo Ilda Zhulalin në garë të hapur. Në listën e hapur po ashtu bien në sy aleatët Meta, Sali Shehu dhe Artur Roshi.

Nuk mund te mungonin edhe personazhet, Adriana Kalaja apo antisorosisti Altin Goxhaj. Në Elbasan, doktori fshiu gjithë deputët aktualë, me në krye rebelin Dashnor Sula. Duke i hequr dhe nga lista e hapur.
Listës së mbyllur i prin Alizoti, me Haxhinaston e Metës, Klodiana Capjan dhe dy elbasanllinjtë, Blendi Himçin e ish deputetin Aurel Bylykbashin. Surpriza ka dhe në Shkodër. Ish-kryebashkiaku Bardh Spahia përfundon në listë të hapur. Doktori në vend të tij caktoi një emër të panjohur, Kliti Hotin.

Në Durrës, më të votuarit e primareve Igli Cara dhe Manjola Luku detyruan doktorin të lërë jashtë listës së mbyllur, zëdhënësen e tij, Floriana Garo.
Ajo s’do të jetë as në listën e hapur, por nuk do të mungojë Ish prokurori Arian Ndoja.

Në Lezhë, ish gjyqtari Gjin Gjoni, më i votuari në primare, nuk do të jetë në listë të mbyllur. Vendin ia mori deputetja Elda Hoti. Edhe në Dibër, doktori zgjodhi një grua, Denisa Vatën. Më i votuari në primare, ish kryebashkiaku Krosi është tërhequr nga gara. Në tre qarqe të tjera nuk pati shumë ndërhyrje.

Në Korçë, Berisha gradoi Bledjon Nallbatin e Ledina Alollin, duke lënë në listë të hapur deputetët Edmond Spaho e Andrea Mano.

Në Fierin e Bardhit, u shpërblyen të gjithë, Luan Baçi, Saimir Korreshi, Eduart Sharka ndërsa vendi i gruas iu la Brunilda Haxhiut të Metës.

Vlorës do i prijë Bujar Leskaj, me grekun Vangjel Dule të dytin ndërsa listën e mbyllin Ina Zhupa me Atird Hoxhën.
Në Gjirokastër, i përhershmi Tritan Shehu, shoqëruar nga Arben Ristani. Në Kukës, Flamur Hoxha, ndërsa në të hapur besniku Isuf Celaj.

Por pasoja e listës se Kukësit ishte kalimi me palën tjetër, i ish deputetit demokrat Alban Zeneli. Ai do të konkurrojë për socialistët në listë të hapur. Qarku ka tre mandate dhe aty gjithmonë demokratët kane fituar shumicën, por kanë humbur dy pale zgjedhje lokale. Kësaj radhe duket janë me afër se kurrë, humbjes se mandatit të dytë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!