Pas 5 vitesh mungesë Bardhyl Londo, rikthehet tek lexuesi i poezisë me përmbledhjen “Prilli i Hidhur”.
Poezitë kanë doza pesimizmi, e përshtatur sipas unit të tij dhe situatës së pandemisë.
“Libri pasqyron atmosferën e kohëve të fundit, të koronavirusit. Depresionin jo vetëm të qytetit, por të gjithë njerëzve, natyrisht edhe timen personale. Unë në prill kam pasur edhe ngjarje personale që lidhen me libra. Është e vërtetë që kam krijuar shumë, por poezia në gjendje të tilla krijohet, kur ke ngacmime më tepër negative.
Një prej poezive të tij , “Qyteti në depresion” sapo poeti e shkroi në rrjetet sociale, u përkthye në disa gjuhë të botës.
“Një vjershë prej këtij cikli, vjersha e parë në mos gaboj, u përkthye menjëherë në Anglisht, Gjermanisht, Italisht, Frëngjisht… Nuk e di, absurdi shqiptar… Gjërat janë së prapthi, flasin shqip e nuk kuptojnë asgjë, është i gjithë absurd i shqiptarëve”, tregon ai.
Mesazhi i Bardhyl Londos është përbashkimi dhe jo dasia politike mes shqiptarëve.
“Shqiptarët duhet të jenë bashkë, të mos tërhiqen nga ndasitë politike. Kur vjen puna për të ndërtuar institucione duhet të jenë bashkë. Duhet të mësohen të jetojnë në Shqipëri”, shprehet ai.
“Prilli i hidhur” , është i ndarë në disa cikle një pjesë e madhe i dedikohet pandemisë, por nuk mungojnë edhe lirikat e dashurisë si dhe disa përkthime nga autorë të dashur të Bardhyl Londos./abcnews.al/