“Prezantueset e motit dhe pushtetarët të bëjnë kujdes me gjuhën shqipe”, akademiku: Përdorin fjalë të huaja pa qenë nevoja

schedule10:01 - 23 Prill, 2024

schedule 10:01 - 23 Prill, 2024

“Shqipja është e bukur, shqipja është e pasur, duhet të kujdesemi më shumë për të, ta pasurojmë, t’ua rekomandojmë brezave të rinj”, ka thënë gjuhëtari dhe akademiku i nderit, Seit Mansaku në emisionin “Pas Mesnate”.

Gjatë intervistës, ai ka këshilluar të gjithë qytetarët shqiptarë që ta ruajnë identitetin e gjuhës shqipe dhe mos të përdorin fjalë të huaja pa qenë nevoja.

Mansaku ka marrë shembullin e prezantueseve të motit dhe të politikanëve, të cilët përdorin herë pas here fjalë të huaja, duke i këshilluar të bëjnë kujdes.

“Duhet ta ruajmë identitetin e gjuhës shqipe në ato raste kur shqipja mund t’i plotësojë nevojat me fjalët e veta. Për arsye stilistike mund të përdoren fjalë dialektore dhe të huaja, por jo në çdo rast. Del një vajzë që jep kohën dhe thotë ndër të tjera që në krahinat veri-lindore do të jetë prezent shiu. Edhe ndërtimi është artificial. Në shqip duhet ta thotë ‘do jetë i pranishëm shiu’, mjafton të thotë do të bjerë shi, do të ketë mot të keq.

Edhe pushtetarët thonë “u hospitalizuan kaq veta nga gripi”. “U hospitalizuan” nuk duhet, duhet u shtruan në spital. Edhe po të duash ta bësh folje atë, mund ta bësh u spitalizuan, por jo ‘u hospitalizuan’”, u shpreh gjuhëtari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!