Projekti për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, një premtim i kryeministrit Rama është gati. Vetë shefi i qeverisë ishte në prezantimin që u bë në Vlorë. Fillimisht pranoi dështimin e marrëveshjes me konsorciumin turk.
“Konteksti ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe ajo që unë vetë e kam kaluar si eksperiencë ishte që nuk kishte asnjë interes. Nuk kishte investitorë të interesuar, nuk kishte kompani të interesuara dhe faktikisht, përpjeka e parë u bë si rezultat i një gatishmërie nga ana e qeverisë turke për të na ndihmuar jo për arsye komerciale, por thjesht e vetëm për të na dhënë një dorë që ne ta ndërtonin këtë aeroport. Ne u përpoqëm që të arrimë në një marrëveshje ndërkombëtare me konsorciumin që erdhi në Shqipëri, që bëri gjithë vizitat e nevojshme, hartoi një projekt financiar dhe pas një negociate shumë të gjatë arritëm në konkluzionin që nuk kishim pika afrimiteti për të nënshkruar një marrëveshje me interes të dyanshëm”, tha Rama.
Por kjo nuk e dekurajon kryeministrin që ta bëjë Vlorën me aeroport. Nuk ka një kompani fituese, por bën të ditur se qeveria i ka kapacitetet për të nisur vetë punimet pranverën e ardhshme bazuar në projektin e përfunduar tashmë.
“Objektivi ynë që kantierin për ndërtimin e aeroportit ta çelim në pranverën e ardhshme. E vërteta është që ne akoma jemi në një proces diskutimi të brendshëm, që do ta mbyllim brenda pak javësh, për mënyrën si do procedohet. Tani që kemi projektin, kemi dhe opsionin e përfshirjes qysh në fillim të një kompanie serioze ndërkombëtare për ta ndërtuar dhe pastaj për ta operuar. Kemi dhe opsionin për ta filluar vetë ndërtimin, që të mos vonohemi përsëri, që të mos gjendemi përsëri përpara të papriturave që sjell çdo proces negocimesh dhe proces marrëveshjesh me palë të tjera. Ne kemi përcaktuar në buxhet një shumë për të filluar ndërtimin vetë si shtet dhe pastaj për të kaluar në një garë ndërkombëtare për operimin, pasi shtete nuk operojnë në aeroporte. Aeroportet i operojnë kompanitë e specializuara”, tha kryeministri.
Ambicia është që aeroporti ndërkombëtar i Vlorës të mos jetë vetëm turistik.
“Nëse 1000 vende pune i kërkon direkt aeroporti, atëherë vlerësohet se rritja e punësimit, në të gjithë aktivitetin ekonomik që aeroporti sjell, është deri në 27-fish. Llogaritë bëjini vetë, por mos harroni që na duhen specialistë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Sipas projektit të paraqitur, aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do jetë më i madhi në vend, me një pistë 3.2 kilometra, e gjerësi 60 metra, pra kushtet e një aeroporti modern.
Shefi i qeverisë tha se pas çlirimit të pozicionit monopol nga aeroporti i Tiranës, hapet rruga edhe për ndërtimin e aeroporteve të tjera, përveç Kukësit edhe atij të Sarandës./ABC News Albania 24/7