Prezantohen trajnerët e rinj të kombëtareve të moshave

schedule16:32 - 27 Nëntor, 2018

schedule 16:32 - 27 Nëntor, 2018

Prezantohen trajnerët e rinj të ekipeve kombëtare në futboll. Federata sqaron kandidatët dhe strategjinë e saj të re, për të pasur sukses në eleminatoret e Europianit.

Ishte një sekret që e dinin të gjithë. Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi ndryshimet e trajnerëve të kombëtareve të moshave, dhe prezantoi drejtuesit e rinj. Në prani të Sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Shulku, u deklarua detyra e re e Xhemal Mustendanagiçit, si drejtor teknik i ekipeve përfaqësuese.

Po ashtu, u paraqitën Nevil Dede, trajner i Shqipërisë U19, Elvin Beqiri, i Shqipërisë U17 dhe Armand Damo i kombëtares U15. Vetëm Alban Bushi e mbajti detyrën si trajner i Shpresave Mustendanagiç e nisi duke theksuar diçka.

“Unë kërkon nga trajnerët që të jenë të ndershëm, të jemi të  ndershëm me lojtarët. Të marrim në ekipet kombëtare vetëm ata që janë më të mirët. Të jenë të ndershëm ndaj Federatës, ndaj ekipet, dhe në radhë të parë të ndershëm ndaj vetes së tyre. Kush nuk  bën këtë gjë, nuk është i përshtatshëm për të qenë trajner”.

Nuk u kuptua nëse boshnjaku i tha këto fjalë si akuza për atë që ka ndodhur deri tani, apo si porosi për trajnerët e rinj, veçse ka pasur dyshime dhe akuza për padrejtësi e mitmarrje, pas disa humbjeve të thella. Drejtori boshnjak sqaroi edhe strategjinë e tij të re.

“Ne duhet të formojmë lojtarët për kombëtaren. Do të kemi ekipe vetëm të Shqipërisë në U17 dhe U19, ku do të luajnë lojtarë vendas. Do të ketë miqësore çdo javë me kundërshtarë të fortë. Në ekipet kombëtare do të vijnë vetëm talentet kryesore nga jashtë. Detyra jonë është të dërgojmë nga 2-3 lojtarë në vit për kombëtaren e të rriturve”.

Sekretari Shulku njoftoi se do të krijohen ekipet U16, U18 dhe U20, ndërsa nuk është vendosur nëse do të kenë trajnerë të rinj, apo do të jenë këta aktualët. Ai dha edhe këtë sqarim.

“Trajnerët e ekipeve kombëtare nuk kanë qenë full time në punë duke ditur që kanë qenë gjithmonë në terren. Duke filluar nga sot, të gjithë këta trajnerë do jenë full time në punë”, tha Shulku.

Në përfundim, folën edhe trajnerët, i pari Nevil Dede.

“Do mundohem që në çdo moment të kem informacion për çdo lojtar të moshës që unë mbuloj në të gjithë Shqipërinë, pastaj nga jashtë. Besoj që do marrim më të mirën nga çdo lojtar”, u shpreh Dede.

Elvin Beqiri i U19-ës falenderoi Mustendanagiçin.

“Besoj që do ia shpërblej sigurisht me seleksionimin më të mirë të talenteve”, tha Beqiri.

Armand Damo u vlerësua shumë nga drejtori boshnjak për punën me moshat e vogla.

“Do jetë një sfidë e vështirë që të gjesh të gjitha talentet e kësaj grupmoshe e të ndërtojmë një lojë të mirë e të bukur”, tha Damo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!