Këtë të mërkurë bëhet prezantimi i tre ideve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informimit për Parkun Kombëtar të Vjosës, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë tha se leksionet për natyrën, qeveria nuk i pranon dot.
Ai theksoi se është dashur kohë për të marrë vendimin e shpalljes së lumit park kombëtar pasi “kemi dashur të jemi të sigurt që do të balancojmë nevojën për të mbrojtur dhe për të ripërtërirë këtë territor të mahnitshëm me nevojën e njerëzve të këtij territori për zhvillim ekonomik dhe social”.
“Duhet ruajtur lumi i fundit i egër në Evropë, por më parë sesa të na japin leksione se si ruhet një lum i egër duhet të kujtohen se të egër kanë qenë edhe lumenjtë e tjetër të Evropës por i kanë zbutur për qëllime që s’kanë pasur të bëjnë me mbrojtjen e natyrës dhe ne jemi shumë mirënjohës për nxitjen, inkurajimin dhe gjithçka që kemi mundur të mësojmë në një proces që nuk ka qenë i lehtë deri në konfirmimin e vullnetit tonë për ta transformuar Vjosën në një park kombëtar por nga ana tjetër, ne nuk mund të mos e themi që leksionet morale se si të sillemi me natyrën, qeveria jonë nuk i pranon dot. Aq më tepër në një botë ku ndotësit më të mëdhenj dhe burimet më të mëdha të rrezikut për mjedisin në kushtet e një sfide globale përballë ndryshimeve klimatike janë ata që bëjnë edhe moralin më insistues dhe ushtrojnë madje edhe presione të papranueshme ndaj shumë vendeve të tjera që mund të kenë 1001 probleme dhe të meta, por s’e kanë në kurriz mëkatin e të qenit në klubin e ndotësve më të mëdhenj të mjedisit në planet.
Më vjen mirë që një vizion për ta mbrojtur grupin e trupit të Shqipërisë sa të jetë e mundur dhe për të ripërtërirë hap pas hapi me durim shumë nga pjesët e atij trupi që janë dëmtuar rëndë në vite, është mishëruar në këtë vendim madhor të qeverisë shqiptare për të pasur një park kombëtar të këtyre përmasave, që do të ishte njësoj sikur Franca, të shpallte park kombëtar një të katërtën e trupit të saj apo të tjera vende një pjesë të konsiderueshme të trupit të tyre. Ka qenë një proces sepse kemi dashur të jemi të sigurt që do të balancojmë nevojën për të mbrojtur dhe për të ripërtërirë këtë territor të mahnitshëm me nevojën e njerëzve të këtij territori për zhvillim ekonomik dhe social. Këtu kthehem tek ata që na bëjnë leksione morale që për hir të së vërtetës shohin të parën por s’do t’ja dinë për të dytën. Parku Kombëtar i Vjosës përshkron një numër të konsiderueshëm bashkish, qytetesh, fshatrat që kanë nevojë për një perspektivë zhvillimi ekonomik dhe jam mirënjohës një pjesë të atyre organizatave lokale dhe ndërkombëtare, të cilat e kanë kuptuar ndjeshmërinë tonë dhe kanë kuptuar që s’kemi qenë hezitues për të shpallur Vjosën park kombëtar se ka qenë pjesë e vizionit që në krye të herës por kemi dashur të mësojmë sa më mirë se si do t’i ekuilibrojmë që të dyja.”, theksoi Rama./abcnews.al