Dështon pretenca për dosjen “Shullazi”, shtyhet sërish

schedule09:35 - 25 Shtator, 2018

schedule 09:35 - 25 Shtator, 2018

Dështon për të gjashtën herë radhazi seanca gjyqësore ku pritej të lexohej pretenca për Emiliano Shullazin dhe të bashkëpandehurit. Ndonëse katër prokurorë kishin gati konkluzionet gjyqi u shty për mungesën e një prej avokatëe. Gjatë seancës godina e gjykatës u rrethua nga një prani e pazakonte forcash policore.

Mëngjesin e së martës, para nisjes së seancës ku pritej të lexohej pretenca për Emiliano Shullazin dhe të bashkëpandehurit, Gjykata për Krimet e Rënda ishte blinduar si kurrë më parë.

Efektivë të Komisariatit nr.3, të Patrullës së Përgjithshme, Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë të armatour rëndë e deri tek snajperët ishin pozicionuar në perimetrin rrotull godinës.

Të pyetur nga ABC News, zyrtarë të lartë të bluve mohuan pasjen e ndonjë paraprak për ndonjë situatë të rrezikshme, por prania e kreut të Policisë së Shtetit dhe atij të kryeqytetit në zonë bënte që masat te ngjanin më ato që merren para ndeshjeve mes ekipeve kombëtare.

Në orën 09:00 Prokuroria për Krimet e Rënda zbarkoi në sallën e gjyqit me një formacion prej 4 prokurorësh, të përbërë nga titullarja Donika Prela, Gentian Osmani, Anton Martini dhe Besnik Muçi.

Ata u ulën përballë 4 avokatëve, pasi të pandehurit kishin zgjedhur të mos vinin në gjyq.

Por edhe blindimi i bankës së prokurorisë nuk dha rezultat në çështjen që ka trazuar ujërat e Prokurorisë për Krimet e Rënda në dy javët e fundit.

Pretenca mbeti e palexuar, edhe pse ishte përgatitur.

Gjykata vendosi të ndërpresë seancën për shkak të mungesës së avokatit të të pandehurit Blerim Shullazi, Aldo Tabaku për arsye familjare. Vetë i pandehuri kishte pretenduar probleme shëndetësore, por burgu ku vuan paraburgimin i bënte me dije gjykatës se ai kishte refuzuar të vizitohej nga mjekët.

Por mosprania edhe e avokatit në gjyq e linte të papërfaqëuar të pandehurin. Në këto kushte kërkesa për shtyrje u artikulua edhe nga prokuroria.

Gjykata caktoi dy mbrojtës të tjerë kryesisht për dosjen dhe shtyu seancën për në 2 Tetor, duke shtyrë kështu për të gjashtën herë radhazi procesin në fazën e leximit të pretencës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!