Ukraina po merr masa për të mbajtur hapësirën e saj ajrore të hapur pasi “KLM” u bë linja e parë ajrore e madhe që pezulloi fluturimet drejt kryeqytetit Kiev. Kjo vjen pas tensioneve mbi grumbullimin e forcave ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën që po intensifikohen pavarësisht përpjekjeve diplomatike për të lehtësuar situatën. Ukraina tha se ishte e gatshme të merrte detyrime financiare për sigurinë e fluturimeve në hapësirën ajrore të vendit.
Linjat e tjera ajrore mund të ndjekin “KLM-në” për shkak të rritjes së kostove të sigurimit. Nënkryetari i zyrës së presidentit të Ukrainës, Kirill Tymoshenko tha në fundjavë se vendi ishte i gatshëm të mbulonte disa nga kostot. Ai shkroi në një postim në Facebook: “Ukraina është e gatshme të marrë angazhime financiare për sigurinë e avionëve në qiellin e Ukrainës”.
“Për të garantuar sigurinë e fluturimeve, qeveria vendosi sot të ndajë fonde nga Fondi i Rezervës së Buxhetit të Shtetit për Ministrinë e Infrastrukturës. Garancitë do të jepen për kompanitë e sigurimit, kompanitë e risigurimit, kompanitë ajrore që përdorin aviona me qira dhe linjat ajrore”.
Sipas disa raportimeve paratë e alokuara ishin rreth 404 milion paund. Industria e udhëtimeve është ende e përhumbur nga kujtimi i fluturimit MH17 të “Malaysia Airlines”, i cili u rrëzua ndërsa po fluturonte pranë zonës së konfliktit të Ukrainës lindore në korrik 2014. Të gjithë 298 pasagjerët dhe ekuipazhi në bordin e fluturimit Amsterdam-Kuala Lumpur u vranë.
Të dielën, linja ajrore buxhetore e Ukrainës “SkyUp” tha se fluturimi i saj nga Portugalia në Kiev u detyrua të ulej në Moldavi të dielën pasi kompania irlandeze e dhënies me qera të avionëve revokoi lejen që ai të kalonte në Ukrainë. “SkyUp” tha se kompanitë evropiane të qiradhënieve po kërkonin që linjat ajrore ukrainase t’i kthenin avionët e tyre në hapësirën ajrore të BE-së brenda 48 orëve.
Kompania ajrore gjermane “Lufthansa” tha se po shqyrtonte një pezullim të fluturimeve drejt Ukrainës raporton gazetari Russell Hotten i “BBC-së”. Megjithatë, “Wizz Air” tha: “Aktualisht, ne nuk kemi bërë asnjë ndryshim në orarin tonë dhe të gjitha fluturimet tona për në/nga Ukraina vazhdojnë të funksionojnë normalisht”. “Të gjithë pasagjerët me fluturime të rezervuara për dhe nga Ukraina këshillohen që të kontrollojnë rregullisht kutitë e tyre postare për informacione të mëtejshme rreth fluturimeve të rezervuara”.
Linja ajrore tha se po monitoronte nga afër situatën. Të dhënat nga shërbimi global i gjurmimit FlightRadar 24 tregojnë se hapësira ajrore mbi Turqinë veriore, në anën tjetër të Detit të Zi nga Ukraina është veçanërisht e ngarkuar. Hapësira ajrore në Rusi pak mbi kufirin e saj lindor me Ukrainën është gjithashtu e zënë. Por ka relativisht pak avionë mbi vetë Ukrainën, sugjeron analiza.
“Reuters” raportoi se një këshilltar i presidentit të Ukrainës tha se pavarësisht nga ajo që linjat ajrore zgjodhën të bënin, Kievi nuk do të mbyllte hapësirën e tij ajrore pasi kjo do t’i ngjante “një lloj bllokade të pjesshme”. / abcnews.al