Presioni ndërkombëtar mbi Kosovën dhe Serbinë/ Analisti: Albin Kurti duhet të themelojë asociacionin

schedule16:45 - 24 Tetor, 2023

schedule 16:45 - 24 Tetor, 2023

PRISHTINË- Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë shtuar forcat dhe presionet për Kosovën dhe Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje finale, e cila në optikën e tyre do t’i jepte fund konfliktit mes dy vendeve.

Javën e kaluar një ekip prej pesë anëtarësh nga BE, SHBA dhe Britania e Madhe vizituan Kosovën dhe Serbinë, ndërsa deklaruan se kanë sjellë një plan konkret për normalizim konkret marrëdhëniesh, por pa dhënë detaje shtesë.

Analisti Jeton Halimi u shpreh për “Ballkan Update” në Abc News se presioni nga ndërkombëtarët është një lëvizje e mirëpritur, pasi sipas tij, ka ardhur koha për zgjidhje mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet ta themelojë asociacionin, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese pasi çdo variant tjetër do ishte i dëmshëm për vendin.

“Ai plani i pesëshes, i të shtunës së kaluar, që ishte për vizitë në Kosovë dhe Serbi dihet fare pastër se çfarë presionin është duke u bërë në mënyrë sistematike edhe Kosovës dhe Serbisë për të arritur në marrëveshjen finale edhe zbatimi I saj si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia. Pesëshja, e prirë nga Lajçak, Escobar dhe emisarët  e tjerë. Dihet shumë qartë se pse kanë ardhur ata. Kanë ardhur për t’ia “tërhequr veshin” se Kurti nuk ka pasur dëshirë të themelojë asociacionin, sepse dihet se do digjej politikisht.  Po ashtu edhe Vuçiç është një lojtar i mirë për të keq, por sido që të jetë, tani ka ardhur koha që edhe Kurti edhe Vuçiç duhet t’i thirrin mendjes dhe të ulet Kurti ta themelojë asociacionin, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtuese të Kosovës me vërejtjet e saj, dhe mendoj se çdo opsion tjetër është në dëm të Kosovës”, tha ai.

Më tej ai tha se takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel  është i mirëpritur, ndërsa beson se do ketë zhvillime serioze.

“Edhe takimi i radhës është shumë i mirë dhe besoj se edhe atje do ketë gjëra konkrete drejt finalizimit dhe realizimit të marrëveshjes së arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Presionet janë ashiqare, dhe nuk duan koment.  Ata kanë ardhur me “merre këtë ose lëre”. Kurti sa ishte në opozitë ka thënë se nuk do të bëjë asociacion dhe për atë Kurti ka marrë 50%  të votave dha ka mashtruar popullatën e Kosovës. Sido që të jetë, jemi ku jemi dhe Kurti duhet ta themelojë asociacionin dhe mendoj se ky presion është shumë i mirë dhe të shkojë më tutje”, tha ai.

Gjatë intervistës, analisti shtoi se një pjesë e mirë e opinionit publik në Serbi e kanë kuptuar presidentin e tyre se është manipulator dhe se çështjen e Kosovës nuk mund ta përdorë më për interesa dhe për konsum të brendshëm politik në Beograd.

“Një pjesë e mirë në Serbi e ka kuptuar se Vuçiç është manipulator, mashtrues dhe e ka vetëm për interesa e tij personale për të shpëtuar nga pushteti dhe jo rrallëherë e përdor këtë karrem para opinionit të vet se ne nuk e njohim Kosovën, por ai së pari duhet ta largojë Kosovën nga Kushtetua e Serbisë dhe duhet të fillojë nga e mbara zbatimi i marrëveshjeve dhe mos të bëjë lojëra politike dhe ky është fundi i Vuçiç”, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!