Lojtaret e kombëtares braziliane të futbollit protestuan kundër ngacmimeve seksuale, pak ditë pasi kreu i federatës së futbollit të Brazilit u pezullua për një muaj
Pak para ndeshjes miqësore me Rusinë, kombëtarja braziliane e futbollit për femra protestoi kundër ngacmimeve seksuale. Aktualisht presidenti i federatës braziliane të futbollit është pezulluar 30 ditë pasi u akuzua për dhunë seksuale nga një nënpunëse e federatës.
Lojtaret e kombëtares braziliane të futbollit protestuan kundër ngacmimeve seksuale, pak ditë pasi kreu i federatës së futbollit të Brazilit u pezullua për një muaj.
Në prag të ndeshjes miqësore me Rusinë, skuadra braziliane mbante në duar parulla ku shkruhej: Jo ngacmimeve seksuale. Lojtaret shpërndanë dhe një mesazh të koordinuar në rrjetet sociale, pa përmendur emrin e presidentit të federatës së futbollit Roxherio Kaboklo.
Ky i fundit u pezullua 30 ditë nga komisioni etik i federatës pasi u akuzua për dhunë seksuale dhe morale ndaj një nënpunëseje të federatës.
Sipas mediave braziliane, ai e ka pyetur për jetën e saj seksuale dhe më pas e ofendoi. Por ai mohoi akuzat të cilat i quajti shumë të rënda.
Trajneri suedez i kombëtares për femra u shpreh se lojtaret janë shumë të tronditura nga ngjarja. Por pavarësisht gjendjes emocionale para ndeshjes, vajzat fituan 3 me zero përballë kombëtares ruse, mbrëmjen e së premtes. /abcnews.al