Presidenti Meta në samitin e paqes në OKB: Shqipëria ka “Mandelat” e saj

schedule20:35 - 24 Shtator, 2018

schedule 20:35 - 24 Shtator, 2018

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte i pranishëm në Samitin e Paqes “Nelson Mandela” në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në fjalën e tij, Meta tha se Shqipëria ka “Mandelat” e saj, duke iu referuar të përndjekurve nga sistemi komunist në vend për shkak të ideve dhe besimit të tyre.

Nga foltorja e Organiatës së Kombeve të Bashkuara në New York, si pjesëmarrës në Samitin e Paqes “Nelson Mandela”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i tha të pranishmëve se Shqipëria ka “Mandelat” e saj.

“Në Shqipëri ne kemi pasur ‘Mandelat’ tonë, të cilët për dekada me radhë gjatë regjimit komunist, janë përndjekur mizorisht e pa mëshirë dhe janë privuar nga liria për shkak të ideve dhe besimeve të tyre. Por ata mbijetuan për të na treguar dhe për të na inkurajuar që të jemi më tolerantë për besimet, fenë dhe etninë e njëri-tjetrit. Ne duhet të luftojmë dhe të veprojmë së bashku për këto vlera”.  

Duke përmendur konfliktet, luftrat e mundshme dhe krizat humanitare aktuale Meta tha se qëllimi për paqen globale ende nuk është arritur.

“Sot ne po kërkojmë mënyra të reja për të promovuar sa më mirë qëndrueshmërinë e paqes dhe për ta përdorur sa më mirë parandalimin e konflikteve në një perspektivë afatgjatë. Në këtë drejtim, Shqipëria vëren se kemi nevojë për një qasje të gjithë shoqërisë njerëzore, të mbështetur nga institucione të forta dhe sundimi i ligjit, siguria njerëzore, zhvillimi përfshirës dhe gëzimi i plotë i të drejtave të njeriut për të gjithë njësoj”.

Kreu i shtetit shqiptar shprehur bindjen se nxitja e dialogut politik ëshë mënyra me e mirë për promovimin e shoqërive globale me bazë rregullash bazuar në vlerat e të drejtave të njeriut dhe në respektimin e të drejtës ndërkombëtare. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!