Presidenti Meta: Ja si “Ramaforma” e la vendin pa Gjykatë Kushtetuese

schedule17:00 - 16 Korrik, 2019

schedule 17:00 - 16 Korrik, 2019

Nëpërmjet një postimi të gjatë në rrjetet sociale, kreu i shtetit Ilir Meta ka treguar arsyet se pse vendi ynë gjendet sot pa Gjykatë Kushtetuese. Autori i vetëm, i kësaj situate të qëllimtë, thekson Meta nëpërmjet argumenteve të tij, është kryeministri Edi Rama. Presidenti Ilir Meta ka marrë përsipër të tregojë me hollësi shkaqet që kanë lënë sipas tij vendin pa Gjykatë Kushtetuese.

Ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi u miratuan në 21-22 Korrik 2016, me 140 vota unanime të Kuvendit të Shqipërisë. Më pas Kuvendi ka zgjedhur me short vit pas viti 3 (tre) Këshilla të Emërimeve në Drejtësi, për të funksionuar përgjatë viteve 2017, 2018, 2019.

“Fakt është që dy Këshillat e zgjedhur për të punuar përgjatë viteve 2017 dhe 2018, nuk kanë funksionuar, pasi janë bllokuar qëllimisht.

Lind pyetja përse nuk kanë funksionuar dy Këshillat (KED), përgjatë viteve 2017-2018 ?

Kush e bllokoi funksionimin e KED?

Kujt i interesonte që KED të mos funksionojë dhe rrjedhimisht të mos plotësohej edhe numri i nevojshëm i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?”.

Kuvendi në datë 27 janar 2017, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, organizoi shortin dhe përzgjodhi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Ky ishte momenti i parë kyç sipas presidentit Meta  për ngritjen e institucioneve të reja, pas ndryshimeve kushtetuese. Në sqarimin e tij kreu i shtetit shkrua se është fakt që ky Këshill, nuk u mblodh asnjëherë dhe mandati i tij përfundoi më datë 31.12.2017, pa kryer asnjë mbledhje të vetme.

“Nëse dikush nuk e di pse-në e kësaj gjendje, po e sqarojmë.

Kryeministri Rama 4 (katër) ditë pas hedhjes së shortit doli hapur dhe publikisht për t’u shprehur se nuk i pëlqenin emrat e anëtarëve të KED-së”.

Në 3 nëntor 2017, si President i Republikës i kërkoi  takim Ambasadores së BE-së, znj.Romana Vlahutin për të disktuar mbi funksionimin e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi,procesin e zgjedhjes së Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, që do të funksionojë përgjatë vitit 2018; dhe nisjen e proçedurave me qëllim plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese;

Pas realizimit të këtij takimi Presidenti i Republikës mori të gjitha garancitë prej Zj.Vlahutin dhe misionit EURALIUS 4, se ky mision do të asistonte në zhvillimin e një tryeze konsultative në datat 9 – 10 nëntor 2017 me prezencën e gjithë aktorëve të interesuar.

“Në punë e sipër për realizimin e kësaj tryeze, në datë 8 nëntor 2017, në mënyrë të papritur EURALIUS njofton në rrugë telefonike për mospjesëmarrjen e drejtueses znj.Agnes Bernhard dhe ekspertëve të EURALIUS në këtë tryezë, pa dhënë asnjë arsye bindëse.

Pra ekspertiza e BE-së (EURALIUS) dhe Delegacioni i BE-së, e “braktisën” këtë iniciativë të Kreut të Shtetit”.

Presidenti i gjendur në këto kushte, iu drejtua mënjeherë Kuvendit të Shqipërisë, duke i kërkuar realizimin e procesit të hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që u bë në datë 7 dhjetor 2017 por sërish u shfaqën të njëjtat problematika me listat sipas kreut të shtetit.

“Edhe emrat, që dolën nga ky short, sërish nuk i pëlqyen Ramaformës”.

Presidenti i Republikës, në shkurt 2018 i kërkoi përsëri zyrtarisht KED-së që të mblidhej dhe të shqyrtonte me precedencë të gjitha kandidaturat e paraqitura për plotësimin e të gjitha vakancave të shfaqura në Gjykatën Kushtetuese.

“A u mblodh Këshilli, do të pyesni ju?

Këshilli u mblodh vetëm një herë në 19 mars 2018, ku zhvilloi mbledhjen e tij të parë dhe të vetme, pasi KED nuk është mbledhur më asnjëherë.

A e dini pse?”

Përgjigjen presidenti e gjen tek  Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja I cili  në datë 5 Mars 2018 doli në media dhe i bënte thirrje publike anëtarëve të KED-së se duhet të kalojnë vetting-un, përpara se të fillojnë nga puna për të bërë filtrin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.

“Ulsiu në datë 19 mars 2018, shkoi dhe u paraqit në mbledhjen e parë dhe të vetme të KED-së dhe i shantazhoi drejtpërdrejtë anëtarët e këtij organi pa ju dridhur qerpiku.

Ai  debatoi me ta dhe i përsëriti të njëjtin kërcënim se KED mund të mblidhet për veprimtari administrative, por jo për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Ai e dinte fare mirë se ajo që po bënte ishte një krim kushtetues”.

Sipas presidentit Ulsi Manja e shantazhoi KED dhe ia arriti sepse ky organ pas datës 19 mars 2018, nuk u mblodh më asnjëherë.

“Kështu u bllokua edhe me 1 (një) vit tjetër Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Kjo është mënyra se si Ramaforma shantazhoi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për 2 vite me radhë, 2017 dhe 2018, dhe bllokoi emërimin e gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas kryetarit të shtetit kryeministri Rama nuk e donte Gjykatën Kushtetuese funksionale, sepse vetëm kështu nuk kishte se kush t’i kontrollonte vendimmarrjet antikushtetuese që ai realizoi. E pa gjykatë kushtetuese aksush nuk kishte ku të ankohej.

Një tjetër guinness i ri shqiptar, 16 muaj (Prill 2018 – Korrik 2019) Republika e Shqipërisë një shtet demokratik i së drejtës është pa Gjykatë Kushtetuese funksionale!!!!!”

Në mbyllje Presidenti kujton se ndërkohë që kanë kaluar 3 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi, jo vetëm nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, por as Gjykatë të Lartë funksionale dhe as Inspektor të Lartë të Drejtësisë. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!