Presidenti kolumbian, Gustavo Petro, ka paralajmëruar se do të “merrte armët në dorë” nëse SHBA-ja vendos ta sulmojnë atë ose vendin e tij, pas një sërë kërcënimesh nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Në një postim në X, Petro ka nënvizuar përpjekjet e tij për të luftuar trafikun e drogës, gjë për të cilën Trumpi e ka kritikuar, teksa ka pretenduar se sulmet ushtarake amerikane kundër trafikantëve në Kolumbi do të rrezikonin vrasjen e fëmijëve dhe nxitjen e rekrutimit për grupet separatiste që kanë qenë në konflikt me shtetin për dekada.
“Dhe nëse arrestojnë një president që ka mbështetjen dhe respektin e një pjese të madhe të vendit, ata do të nisin një kryengritje popullore”, shtoi ai.
Petro, një ish-anëtar i grupit guerilas M19, ka thënë gjithashtu se ai vetë do të luftonte për të mbrojtur Kolumbinë.
“U betova se nuk do të prekja më një armë por për atdheun do të marr përsëri armët”, ka thënë ai.
Trumpi ka pasur fjalë të ashpra për Petron të dielën, duke e përshkruar atë si “një njeri të sëmurë që i pëlqen të bëjë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara, dhe se nuk do ta bëjë këtë për shumë kohë”.
Kur një gazetar e pyeti nëse këto komente nënkuptonin se mund të kishte një “operacion” në Kolumbi në të ardhmen, Trump është përgjigjur: “Më duket mirë”.


