Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në Tiranë presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Kryeministria, Michel u shpreh se shumë ka ndryshuar që nga vizita e tij e fundit në Tiranë, por vetëm një gjë mbetet e pandryshuar: “angazhimi për integrimin e vendit në BE.”
Po ashtu presidenti i KiE tha se procesit të integrimit duhet t’i japim tashmë energji të reja dhe për këtë po bëhet përshpejtimi i procesit. Zyrtari i lartë Evropian theksoi po ashtu se vendi ynë i ka plotësuar kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim në bllok.
“Shumë ka ndryshuar që nga vizita e fundit e imja këtu në Shqipëri. Po një gjë nuk ka ndryshuar dhe ky është angazhimi ynë për integrimin e Shqipërisë në BE. Një vend aleat i vërtetë. Ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe punën që keni bërë në arenën ndërkombëtare e veçanërisht këtë vit…Duhet t’i japim energji të reja procesit të integrimit. Ne po bëjmë përshpejtimin e integrimin…Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe bisedimet duhet të nisin sa më shpejt.”
Javët në vijim, shtoi Charles Michel do të jenë kyçe sa i përket integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane ndërsa shtoi se shpreson që do të merren vendimet e duhura. /abcnews.al/