Presidenti i KE paraljmëron liderët e Katalonjës

schedule13:40 - 19 Nëntor, 2017

schedule 13:40 - 19 Nëntor, 2017

Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker edhe njëherë ka theksuar mbështetjen për qeverinë e Spanjës lidhur me çështjen e pavarësisë së Katalonjës. Ai madje paralajmëroi liderët e rajonit autonom duke thënë që mos të nënvlerësojnë mbështetjen e europës për Madridin.

“Katalonja është një shqetësim shumë i madh. Nuk më pëlqen gjendja që ka shkaktuar: kjo është një katastrofë”. Kështu u shpreh Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, në një intervistë me gazetën spanjolle “El Pais”. Ai paralajmëron gjithashtu “liderët e Katalonjës që të mos nënvlerësojnë mbështetjen e gjerë që zotëron kryeministri i Spanjës Mariano Rahoi në Europë”.
“Në shumë mënyra, krijoi atmosferë të tensionuar politike, shkaktoi një ndarje të brendshme në shoqërinë spanjolle dhe në shoqërinë katalanase”, shton Junker duke nënvizuar se kjo situatë “krijon probleme në familje, në mesin e miqve. “Është e trishtueshme. Kjo nuk duhet të jetë kurrë një sukses”, shprehet presidenti i Komisionit Europian.

“Nacionalizmi është një helm”, ka thënë numri një në Bruksel. “Jashtë Europës më pyesin nëse Spanja është në një gjendje të dekompozimit: Nëse vendi po ndahet në dy pjesë. Unë them jo, pasi pjesa më e madhe e spanjollëvë kundërshtojnë pavarësinë”, shton lideri europian duke thënë se për këtë çështje nuk është e qartë as shumica në Katalonjë. “Qeveria e Spanjës dhe ajo e Katalonjës mund të diskutojnë shkallën e autonomisë, por Europa është një klub i kombeve dhe nuk pranon që rajonet të dalin kundër kombeve. Veçanërisht kur shkelin ligjin”, thekson Junker.
Ai rikonfirmoi se si kryetar i Komisionit, mbështet qëndrimin e Qeverisë spanjolle. Këtë qëndrim e justifikoi duke thënë se mbështet ata që respektojnë ligjin. “BE-ja është e bazuar në sundimin e ligjit dhe çfarë miqtë e mi katalanasit kanë bërë është e kundërta: ata kanë shkelur ligjin”, nënvizon në fund presidenti i Komisionit Europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!