Nis konferenca e përbashkët për shtyp e presidentëve Begaj dhe Steinmeier. Në fjalën e tij, presidenti shqiptar theksoi se: “200 marrëveshje bashkëpunimi janë në proces mes dy shteteve”.
Ndërsa presidenti Steinmeier theksoi se Gjermania do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian
Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Ëalter Steinmeier zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Tirana është stacioni i dytë i udhëtimit të Steinmeier në Ballkan, ku ai vizitoi edhe Maqedoninë e Veriut.
Ashtu si edhe një ditë më parë në Shkup, presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier edhe në Tiranë do të kërkojë, që Shqipëria të ndjekë me vendosmëri rrugën për në Bashkimin Europian duke zbatuar reformat e nevojshme për këtë proces. Kjo ka të bëjë me ekonominë e po ashtu edhe me drejtësinë dhe administratën. Lufta kundër korrupsionit është gjithashtu një temë e rëndësishme. Shqipëria ashtu si edhe pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor prej gati dy dekadash pret pranimin në BE. Kjo pritje e gjatë ka bërë që ndërkohë në politikë si edhe në radhët e popullsisë të përhapet zhgënjimi ndaj BE-së. Në raportin e progresit në tetor Komisioni Europian konstatoi për Shqipërinë një “nivel të mesëm” të stadit të përgatitjeve në fushat e rëndësishme si drejtësia, administrata publike dhe aftësia konkurruese e ekonomisë.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj e priti sot presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë paradite në Presidencë me nderime ushtarake. Steinmeier do të mbajë një fjalim në Parlamentin e Shqipërisë. Është parashikuar edhe një bisedë me kryeministrin Edi Rama. Presidenti gjerman Steinmeier do të qëndrojë dy ditë në Shqipëri, ku gjatë ditës së dytë të vizitës janë planifikuar takime e aktivitete të tjera.
/abcnews.al/