Presidenti brazilian i bashkohet protestave kundër izolimit

schedule13:05 - 21 Prill, 2020

schedule 13:05 - 21 Prill, 2020

Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro është vënë nën kritika pasi iu bashkua protestuesve që kërkojnë që të hiqen masat e karantinimit të vendosura për parandalimin e koronavirusit.

Bolsonaro është përplasur gjatë javëve të fundit me guvernatorët e shteteve, që kanë imponuar karantinën. Ai i ka cilësuar ato masa si “diktatoriale”.

Brazili ka më shumë se 40.000 raste të konfirmuara. Ky është numri më i lartë i të prekurve në Amerikën Latine.

Ndërkohë më shumë se 2 500 vetë kanë humbur jetën. Bolsonaro, gjatë një fjalimi tha se protestuesit ishin patriotët e vërtetë që mbrojnë lirinë e njerëzve.

Disa nga ata që morën pjesë në tubim kërkuan që Kongresi i Brazilit dhe Gjykata Supreme të mbyllet.

Të hënën, ndërsa bisedoi me gazetarët, Z. Bolsonaro iu përgjigj  një prej përkrahësve të tij i cili bëri thirrje për mbylljen e Gjykatës Supreme duke thënë se Brazili ishte një vend demokratik. Ai tha se gjykata e lartë e vendit, si dhe Kongresi, do të qëndrojnë të hapura.

Gazetarët kanë vënë re se në tubimin e së dielës presidenti as nuk mbante maskë për fytyrën, edhe pse ai ishte kollitur në disa  raste, madje nuk mbante veshur as doreza – masa paraprake që po marrin shumë politikanë të tjerë në rajon.

Kujtojmë se presidenti e ka quajtur koronavirusin si “pak më të rëndë se një grip” ./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!