Nga Juxhin Mustafaraj
Komisioni i Rithemelimit në Partinë Demokratike do të refuzojë të bëhet pjese e nje procesi te paracaktuar nga mazhoranca per zgjedhjen e Presidentit te Republikes. Ne nje interviste per Abc nenkryetari i grupit parlamentar te PD, Luciano Boci thekson se per te fituar besimin e paleve dhe per te balancuar pushtetet, te drejten per te propozuar kreun e ri te shtetit duhet ta kete opozita.
“Grupi i Rithemelimit ka përcaktuar qartë se nëse kompetenca e zgjedhjes së Presidentit të Republikës do t’i kalojë opozitës, atëherë opozita do të kalojë në negociata. Ne nuk themi që Rama të bëj çfarë të dojë sepse i ka të gjithë elementët, por jemi duke thënë që nëse ato negociata janë false dhe gjoja për të përfshirë opozitën dhe me synimin për të zgjedhur një person të paracaktuar nga Ramam, atëherë ajo nuk është negociatë por një hile politike që kërkon të përfshijë në vorbullën e vetë për hir të opinionit dhe për ta bërë pis opozitën”, deklaron Boçi.
Boçi deklaron se nuk eshte mandatuar askush per te negociuar me mazhorancen. Nje qendrim edhe per kreun e grupit, Enkelejd Alibeaj.
“Çdo negociatë e mëparshme e nisur apo e presupozuar është e rrëzuar në këto momente. Z.Alibeaj nuk e ka të drejtën që individualisht të hyj në negociata pa një miratim të kryesisë së grupit dhe më tej të grupit parlamentar, ndërkohë që negociatat do të kryhen në emër të Partisë Demokratike,” thekson deputeti i PD.
Boçi flet edhe per situaten e brendshme ne PD dhe bashkimin e demokrateve.
“Nuk ka negociata brenda një force politike brenda palëve. Nuk ka palë. Është vetëm një palë dhe ajo është anëtarësia e Partisë Demokratike dhe ajo ka përfaqsuesit e saj që janë deputetët e PD. Nuk duhet të kemi iluzione që duhet të “pajtohet” grupi parlamentar dhe më pas ky pajtim të përcillet si mesazh. Jo. Është anëtarësia që na pajton ne. Është ajo forca kryesore ku ne mbështetemi. Grupi parlamentar aq sa është i fortë dhe e tregoi forcën e tij dhe ishte një forcë e jashtëzakonshme dhe duhet falenderuar për aktin e tij, aq është edhe vurnerabël para anëtarësisë.”
Por a e pengon bashkimin e demokrateve turi i takimeve te nisura nga Lulzim Basha?
“Z. Basha duke qenë një drejtues prej kaq vitesh e ka atë petkun e faktorit politik dhe nuk duhet ta shtyj me forcë sepse bie elementi i forcës së këtij faktori. Ai duhet të gjej rrugën e bashkimit, rrugën e fuzionimit me sentimentin e anëtarësisë së Partisë Demokratike. Sepse një ish-kryetar kur sheh shumë pak veta në një takim, me intuitën e tij politike e di shumë mirë se çfarë thotë dhe çfarë ndjen anëtari i Partisë”, deklaron deputeti i PD.
Në 30 prill Komisioni i Rithemelimit ka parashikuar zhvillimin e Kuvendit Kombëtar për t’i hapur rrugë përzgjedhjes së lidershipit të ri në krye të PD. /abcnews.al/